Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të ndalojë rritjen e dakordësuar të çmimeve të autoshkollave. Marrëveshja e nënshkruar midis Drejtorisë së Transportit Rrugor, Drejtorisë së Tatimeve dhe shoqatave të autoshkollave, përcaktonte vendosjen e një çmimi minimal prej 85 mijë lekësh për kursin e patentës.
Komisioni i Konkurrencës vendosi pas shqyrtimit të çështjes të urdhërojë moszbatimin e këtyre tarifave, deri në një vendim përfundimtar të Konkurrencës.
“Akt Marrëveshja për përcaktimin e tarifës së pagesës dhe kostos minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me leje drejtimi, nëpërmjet përcaktimit të tarifës minimale ka rrezik eminent të sjellë një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në ofrimin e këtyre shërbimeve, duke reduktuar seriozisht përfitimet që tregjet konkurruese ofrojnë për konsumatorët”, deklaron Autoriteti i Konkurrencës.
Në rast se autoshkollat vendosin tarifat e reja duke shkelur vendimin e Konkurrencës, rrezikojnë të gjobiten me 10% të xhiros vjetore të vitit të shkuar.
Autoriteti i ka kërkuar institucioneve të përfshira të depozitojnë të gjithë praktikën e ndjekur deri në nënshkrimin e marrëveshjes. Pas vlerësimit të këtyre të dhënave, Konkurrenca do të shprehet nëse do të ndalojë përfundimisht caktimin e çmimit të ri për autoshkollat.