Këtë dimër, pritet një rritje e numrit të të infektuarve, ashtu siç po shohim në SHBA dhe një pjesë të Europës. Sipas ekspertëve të shëndetësisë, 6 deri në 12 javët në vijim pritet të jenë më të errëtat në të gjithë këto muaj pandemie, deri në gjetjen dhe hedhjen në treg të një vaksine efikase, e cila në përdorim do të mund të hyjë vetëm vitin e ardhshëm, me shumë gjasë në verën e 2021-shit.
Por pavarësisht shifrave, doktor Anthony Fauci, një nga zërat më të besueshëm në SHBA, por njëkohësisht më të kritikuarit nga administrata Trump, thotë se nuk ka vend për një rikthim në karantinë.
Ekspertët sugjerojnë se vetëm respektimi i masave kufizuese mund ta vërë virusin nën kontroll, së paku edhe për 2 apo 3 muajt në vijim. Specialistët e sëmundjeve infektive rikujtojnë higjienën personale si një nga masat më efektive dhe ruajtjen e distancimit social pasi nëse ende nuk e marrim seriozisht koronavirusin, do të kemi probleme serioze këtë dimër.
Trefishohen viktimat brenda 24 orëve në Britani
Britania e Madhe regjistroi të martën 241 humbje jetësh nga koronavirusi, duke shënuar një rekord fatalitetesh.
Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet, kjo shifër është trefish më e lartë se 80 vdekjet e raportuara të hënën.
Në secilin rast, pacientët kanë humbur jetën brenda 28 ditëve nga testimi i parë pozitiv për koronavirus, shpjegoi qeveria.
Përpos numrit të lartë të humbjeve të jetëve, vendi regjistroi 21,331 raste të reja me koronavirus.
Rriten viktimat dhe të shtruarit në terapi intensive në Francë
Franca ka regjistruar një tjetër rekord negativ, këtë herë për numrin e pacientëve që ndodhen në terapi intensive, me shifrat më të larta që prej muajit maj.
Brenda 24 orëve, sipas autoriteteve shëndetësore, u shënuan mbi 20.400 raste të reja ndërsa 262 pacientë humbën jetën. Ndërkohë, mbi 2 mijë pacientë ndodhen në terapi intensive, në gjendje kritike për jetën, duke rritur shqetësimet në mbarë vendin se trendi do të jetë i tillë për gjatë të gjithë dimrit.
Që prej 17 tetorit, Franca është nën masa më të rrepta kufizuese, në 9 qytetet më të mëdha, me 20 mln banorë që po jetojnë edhe një herë një periudhë të vështirë izolimi.
E teksa e gjitha bota po përpiqet të frenojë pandemisë, vende si Franca, Italia, Kina, Rusia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara janë në garë mes tyre dhe me kohën për të gjetur një vaksinë.
Sipas OBSH, në mbarë vendin deri më tani ekzistojnë 198 vaksina potenciale për të luftuar virusin Sars-Cov-2, 44 prej të cilave janë në fazën e testeve klinike.