Aktualitet Rritja e numrit të viktimave, Skënder Brataj tregon nëse do të mbyllemi...

Rritja e numrit të viktimave, Skënder Brataj tregon nëse do të mbyllemi sërish

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, ka komentuar situatën e koronavirusit në vend, ndërsa shifrat e rasteve të reja vijojnë të rriten, ndërsa java e fundit shënoi nivelin më të lartë të viktimave nga COVID 19.

“Çdo rritje e këtyre numrave është një sinjal alarmi, nuk diskutohet që të jemi të kujdesshëm dhe të jemi të gatshëm për çdo lloj skenari. Këto 2-3 ditë po monitorojmë dhe analizojmë situatën dhe do të shohim më në detaj gjendjen aktuale, masat dhe situatën aktuale, ka ardhur momenti i vaksinës që duhet të ecim me hapa më të shpejta, por është momenti i fundit i kësaj pandemie, i këtij problemi që kemi”, tha Brataj.

Brataj theksoi se është kundër një karantine të plotë në të gjithë Shqipërinë sepse kjo do të ishte e rëndë për ekonominë dhe për shqiptarët nga pikëpamja e shëndetit mendor.

“Unë do t’i referohesha linjës që ndjekin tek gjithë vendet e tjera. Edhe masat më shtrënguese kanë dhënë rezultat pothuajse në të gjithë vendet. Nuk do të flisja për një karantinë pasi është e papranueshme në këtë moment, në këtë situatë dhe një vit pas epidemisë për një mbyllje totale sepse edhe shëndeti mendor dhe ekonomia e të gjithë sektorët e tjerë janë në një limit të ekuilibrit që mund të jetë subjekt i çdo shpërthimi apo interpretimi.

Personalisht do të isha për shtrëngim masash, kufizimi i disa aktiviteteve, i orareve më shumë si te gjithë Europa deri në orën 6 pasdite. Mendoj që baret e restorantet janë nga burimet më të mëdha dhe po të ishte për mua, do të kisha një kufizim më të madh. Për mbyllje totale nuk do të flisja”, tha Brataj, i ftuar në “Top Talk”.

Sa i përket mundësisë së anulimit të zgjedhjeve, Brataj u shpreh: “Procesi zgjedhor është një gjë që është bërë në shumë vende të botës dhe pamë që në nëntor kur ishte kulmi i valës së dytë, u bë dhe në SHBA kështu që do të këshilloja që t’i përmbaheshin rregullave.”