Politika Rritja e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses, votat e Bashës nuk mjaftojnë...

Rritja e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses, votat e Bashës nuk mjaftojnë për mazhorancën

As në seancën e ditë së enjte, Kuvendi nuk do të votojë ndryshimet ligjore që rrisin pagat e gjyqtarëve të Kushtetueses. Në drejtimin e Bledi Çuçit, grupi parlamentar i mazhorancës vendosi të mos përfshijë në axhendën e seancës plenare as ligjin për lojërat e fatit, me argumentin se do duhet të rishikohet edhe njëherë.

Pavarësisht gatishmërisë së Lulzim Bashës për të bashkëpunuar me socialistët, sërish këta të fundit nuk arrijnë dot të sigurojnë shumicën e cilësuar të votave.

Për këto dy ligje do duhet të shtrijnë dorën sërish drejt mbështetësve të Sali Berishës apo deputetëve të tjerë opozitarë, të cilët deri më tani i kanë kundërshtuar.

Sa i përket rritjes së pagave për gjyqtarët e Kushtetueses sipas deputetëve demokratë, një vendim i tillë krijon disbalancë me gjyqtarët e këtij institucioni dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar.

Ky projektligj u kontestua nga deputeti Fatmir Xhafa. Nw mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, të martën më 12 shtator, Xhafaj e kontestoi projektligjin përmes një serie pyetjesh drejtuar përfaqësuesve të ministrisë së Drejtësisë, ndërsa theksoi se me këto ndryshime, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të merrnin dyfishin e pagës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

“Dini ndonjë rast kur Gjykata Kushtetuese ka dënuar ndonjë me burgim të përjetshëm? Po që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të kenë hequr dorë nga privatësia dhe janë kushtëzuar në një sërë të drejtash dhe liri që u njeh kushtetuta, që i barazoni në këtë mënyrë?”, pyeti ai ndër të tjera.