Danimarka do t’i japë hua Shqipërisë 30 respiratorë, që do t’i vijnë në ndihmë pacientëve me Covid-19. Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Jashtme daneze, e cila thotë se aktualisht këto respiratorë nuk janë të nevojshëm për shërbimin shëndetësor në Danimarkë.
“Shqipëria merr 30 aparate për frymëmarrje nga Danimarka për përdorim në trajtimin e pacientëve me COVID-19 në javën e 39. Vendimi për huazimin e Shqipërisë u mor nga forca e posaçme ndër-ministrore e themeluar për koordinimin e kontributeve civile në krizat shëndetësore”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Danimarkës.
Respiratorët i janë dhënë hua Shqipërisë për një vit me mundësi për ta zgjatur më shumë përdorimin e tyre.
Po ashtu thuhet se një anëtar i sektorit shëndetësor danez do të dërgohet së bashku me respiratorët për të trajnuar shqiptarët se si t’i përdorin ato.