Rritja e çmimeve në hoteleri dhe shërbime, kryesisht në zonën bregdetare të Jugut të vendit gjatë këtij sezoni veror, është ngritur si shqetësim edhe nga kryeministri Edi Rama.
Pavarësisht se pranoi që qeveria nuk mund t’i imponojë çmimet operatorëve turistikë, gjatë takimit me 61 kryebashkiakët e vendit, Rama i këshilloi bizneset në Jug që të ndalin rritjen e palogjikshme të çmimeve.
Sipas kreut të ekzekutivit ajo që po ndodh në plazhet e rivierës shqiptare është një vetëvrasje në terma ekonomikë, pasojat e së cilës do të ndihen më shumë në sezonet e ardhshme turistike.
“Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet, ky është sistemi që kemi zgjedhur dhe nuk vendosim dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i kontrollojmë apo imponojmë dot. Në Vlorë Ermal, në Sarandë Olti ku janë dy pikat e një rritje absurde të çmimeve është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’u thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Se po të ishte kaq kollaj do e kishte bërë tërë bota këtë sport. E kanë bërë dhe kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura. Para se të jetë vonë duhet të komunikohet që çmimet të jenë të arsyeshme.”
Rama theksoi po ashtu se ideja që meqë vjet u thamë turistëve që Shqipëria është shumë e lirë, na shtyn t’i hedhim në erë të gjitha idetë e tavaneve të çmimeve gjatë këtij sezoni “është shumë e çmendur”.
Kryeministri u ndal në veçanti te ajo që po ndodh me çmimet në Vlorë, duke thënë se vlonjatëve iu ka dalë syri dhe nami, ndaj me këtë strategji që po ndjekin do të bien në gropën e gjoksit të tyre.
“Shikoni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën, janë stabël. Vlonjatët janë molla e këtij sherri sepse tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe konkurruese, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe bërë një gropë ku do bien vetë këta që i ngrenë çmimet në këtë far feje. Nuk më vjen keq për ta, por është e padrejtë dhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde kur sapo kemi hyrë në Champions League-n e turizmit të Mesdheut. Më mirë syri sesa nami. Vlonjatëve ju kanë dalë edhe sytë edhe nami dhe ju kanë dalë edhe trutë nga vendi atyre që kanë bërë ato hotelet. Duhet të zbresim pak me këmbë në tokë, nuk ua thua dot vlonjatëve, por të paktën të zbresim në kat të dytë.”