Disa pedagogë kanë vijuar edhe ditën e sotme protestën tek Korpusi Universitar, për zbatimin e kërkesave të tyre.
Kreu i sindikatës së pedagogëve tha se nëse deri ditën e nesërme nuk kanë një përgjigje pozitive deri në orën 16:00, do të dalin në grevë urie.
Ai tha si shenjë se në grevën e cila do të mbahet në ambientet e brendshme të universitetit do të dalin 10 pedagogë
“Presim deri ditën e nesërme, për dy tre çështje kryesore që u kemi kërkuar, nuk janë përgjigjur pozitivisht. Do presim deri në orën katër përgjigjen e qeverisë, në grevë do të futen disa pedagogë, rreth 10… është grevë simbolike. Greva do të mbahen në një ambient të brendshëm të universitetit”, u shpreh Sandër Kovaçi.
Sipas Sandër Kovaçit, rritja e pagave me 8% nga buxheti i vetë universiteteve, nuk është i mjaftueshëm.
“Ne kemi njohur vetëm 7% si rritje. Universiteti i Tiranës ka rritur 8% vetëm për këtë periudhë dhe nuk ka asnjë garanci për vitin e ardhshëm. Kurse universitetet e tjera, si Politekniku, edhe ai gjatë kësaj periudhe, këtë tremujorësh, mund ta mbulojë me shumë vështirësi. Përveç mjekësisë, ndoshta ata kanë më shumë buxhet. Universitetet e tjera nuk kanë asnjë lloj mundësie për të arritur 8%-shin. Për shembull, rritja me 8% në Universitetin e Shkodrës do të kushtonte 200 milionë lekë, ndërsa të ardhurat ishin vetëm 100 milionë”, tha Kovaçi.
Sipas tij, duhen marrë garanci që rritja me 8% nuk do të mbahet nga tarifat e studentëve dhe që nuk do të sjellë ulje të investimeve në universitete. “Rroga është çështje fikse. Ne nuk jemi dakord as me 15%. Aq më tepër që nuk janë përfshirë stafi ndihmës, që për ne është jetik. Nëse nuk kemi përgjigje pozitive nga qeveria, kemi gatishmërinë e një pjese të stafit të cilët janë gati. Do të jetë unike në botë besoj që në grevë urie të futen personel akademik”.