Kryesore Rritje e lehtë e rasteve të reja me Covid. Asnjë rast me...

Rritje e lehtë e rasteve të reja me Covid. Asnjë rast me variantin Delta

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar 13 raste të reja me Covid, një rritje e lehtë në krahasim me ditët e kaluara.

“Në 24 orët e fundit janë kryer 2007 testime, nga të cilat ka rezultuar pozitiv me Covid19, 13 qytetarë, në këto bashki: 3 raste në Lushnje, 2 raste në Korçë, Elbasan, Rrogozhinë, nga 1 rast në Fier, Tropojë, Gjirokastër, Rosokovec”, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Fatmirësisht edhe këtë të mërkurë nuk është shënuar asnjë viktimë nga Covid.

Aktualisht janë 66 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin. Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 3 pacientë.

Janë shëruar 2 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,035 që nga fillimi i epidemisë.

ISHP: Nuk kemi identifikuar ende variantin Delta

Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se deri tani në Shqipëri nuk është identifikuar asnjë rast i variantit Delta. Në një reagim të këtij institucioni thuhet se pavarësisht numrit të lartë të testimeve, nuk ka pasur sinjale për prezencën e këtij varianti në vendin tonë.

Instituti i Shëndetit Publik thotë se për çdo rast të dyshuar do të bashkëpunojë me institucionet e referencës, gjë e cila është pjesë e praktikës së punës së këtij institucioni.

Ekspertët druhen se me ardhjen e turistëve në Shqipëri nuk përjashtohet edhe mbërritja e këtij mutacioni.

Vendet fqinje si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Greqia kanë regjistruar raste të variantit delta i cili është më shumë infektues se variantet e tjera. Për momentin Shqipëria konsiderohet me situatën më të mirë epidemiologjike në rajon.

Sipas të dhënave zyrtare për Europën, rastet pozitive me Covid janë më pak se 0,01 raste për 100 mijë banorë. Në hartën e të dhënave për rajonin e Europën, Shqipëria paraqitet me ngjyrë jeshile dhe blu, duke qëndruar në vendet e para për situatën më të mirë nga Covid.

Edhe në Ballkan, Shqipëria është më mirë se Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Prej më shumë së dy muajsh, në Shqipëri po regjistrohem shifra shumë të ulëta infektimesh dhe shtrimesh në spital. Aktualisht në vend janë rreth 50 të infektuar aktivë.