Ka shkuar në 54 numri i të arrestuarve si pasojë e aksionit policor “Rrjeti” që u krye në Qarkun e Elbasanit. Dy të rinj që ishin shpallur në kërkim, janë vënë në pranga.
“Si rezultat, u ndaluan shtetasit M. B., 35 vjeç dhe M. K., 34 vjeç, të dy banues në Elbasan. Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, njoftuan uniformat blu.
Të dy këta persona akuzohen se janë pjesëtarë të një rrjeti kriminal që merrej me prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave. Kjo veprimtari e paligjshme u godit më 29 Qershor.
Në total janë vënë pas hekurave të qelisë 54 persona, janë sekuestruar sasi të ndryshme lënde narkotike, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdha parash në valuta të ndryshme.
Në lidhje me këtë operacion vijojnë të mbeten në kërkim 3 persona të tjerë.