Vetëm 76 ditë më parë Jurgen Klinsmann u ul në stolin e Herthës së Berlinit, për të zëvendësuar Covic, pas një periudhe rezultatesh mjaft negative të skuadrës nën drejtimin e këtij të fundit.
Megjithatë “si një rrufe në qiell të hapur” ish-sulmuesi i njohur gjerman ka njoftuar sot dorëheqjen nga posti i trajnerit të skuadrës, pasi në 10 javë kishte arritur 3 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje.
“Një periudhë emocionuese për mua, pasi bashkë me stafin tim kishim pranuar sfidën për të ndihmuar skuadrën dhe në pak kohë kemi bërë gjëra pozitive. Jam i bindur që Hertha e Berlinit do të shpëtojë, por unë kam nevojë për besim dhe pasi reflektova gjatë, vendosa të jap dorëheqjen nga posti i trajnerit dhe të rikthehem në rolin e anëtarit të Këshillit të Administrimit”, shkroi Klinsmann në rrjetet sociale.
Ish-trajneri i Gjermanisë, Bayernit të Mynihut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës lë Herthën e Berlinit në vendin e 14 me plot 6 pikë larg zonës së rënies dhe me një përforcim në merkaton e janarit si sulmuesi Piatek i ardhur nga Milani.