Një person humbi jetën si pasojë e një aksidenti të ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në aksin rrugor Milot-Rrëshen, Rruga e Kombit. Viktima po lëvizte me biçikletë, kur në afërsi të Rubikut u përplas nga një autobus me targa të Kosovës.
Viktima është 72-vjeçar me iniciale N. P. Në vendngjarje ndodhet policia, e cila ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.
“Rreth orës 09:30, në aksin rrugor “Rubik-Fang”, autobusi me drejtues shtetasin E. R., 60 vjeç, banues në Kosovë, me drejtim lëvizjeje “Morinë-Durrës”, ka përplasur një biçikletë me të cilën lëvizte shtetasi N. P., 72 vjeç, banues në fshatin Fang, Rubik. Si pasojë e përplasjes, shtetasi N. P. ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa nga autobusi nuk është dëmtuar asnjë pasagjer.
Drejtuesi i autobusit, shtetasi E. R. është shoqëruar në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Në vendin e ngjarjes ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të Njësisë për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, dhe grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti”, tha polica në një njoftim për mediat.