Ish-deputeti i PD, Gent Strazimiri, ka hedhur sot akuza ndaj qeverisë për punimet në autostradën Tiranë-Elbasan. Strazimiri tha se shqiptarët janë të detyruar të paguajnë 44 milionë euro për këtë rrugë.
Arsyeja, sipas tij, është se tenderi ju hoq një kompanie greke dhe ju dha mikut të Taulant Ballës, Edmond Bego. Strazimiri shpjegoi se kompania greke e ka hedhur në gjyq qeverinë shqiptare dhe tani do t’i marrë asaj 44 milionë euro.
“44 milionë euro është fatura e re që do të paguajnë shqiptarët për Edmond Begon, mikun e Taulant Ballës dhe të Edi Ramës. Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar ka dënuar shtetin shqiptar pas padisë së kompanisë greke Aktor, e cila kishte fituar tenderin për të kryer punimet në rrugën Tiranë-Elbasan. Kompania greke ishte kontraktuar nga qeveria shqiptare për të bërë punimet shtesë, por Edi Rama në mënyrë që të favorizonte kompaninë e mikut të tij dhe të Taulant Ballës “Inerte Ekspress” te Begos vuri gjoba, bëri presion dhe tentoi që të largonte kompaninë greke Aktor e cila mbasi mori nënkontraktorët e imponuar nga qeveria u largua pa marrë asnjë pagesë. Pra, qeveria shqiptare, për të favorizuar kompaninë e Edmond Begos me shokë ngarkon në këtë mënyrë buxhetin e shtetit shqiptar i cili sigurohet me taksat e qytetarëve shqiptarë.”
Si të vetmen zgjidhje që shqiptarët të shpëtojnë nga borxhet, demokrati sheh largimin e qeverisë.
“Për shqiptarët ka vetëm një rrugë që të shpëtojnë nga mali i borxheve që po rrit çdo ditë keqqeverisja e Edi Ramës dhe banda e tij e Rilindjes. Rruga është largimi një orë e më parë i kësaj qeverie dhe hapja e një rruge për një qeverisje normale që mendon për popullin, ekonominë, jo që i zhyt ata në borxhe pa fund.”
Gent Strazimiri deklaroi se sa më gjatë të qëndrojë në pushtet Edi Rama, aq më shumë do të mjerohen dhe plaçkiten shqiptarët.