Qindra zogj kanë ngordhur në kryeqytetin e Italisë. Raportimet nga mediat vendase tregojnë zogj të ngordhur në rrugët e Romës.
Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve e kanë konsideruar masakër. Besohet se zogjtë kanë ngordhur nga hedhja e fishekzjarreve në mesnatën e ndërrimit të viteve.
Ekspertët thonë se me shumë mundësi zogjtë ngordhën për shkak të frikës nga zhurmat shpërthyese të fishekzjarreve dhe mjeteve të tjera piroteknike që janë hedhur nga qytetarët.
“Mund të kenë ngordhur nga frika. Ata fluturojnë së bashku në tufë, godasin dritaret ose linjat elektrike. Por mos të harrojmë që këta zogj mund të ngordhin edhe nga sulmet në zemër”, tha Organizata Botërore e Mbrojtjes së Kafshëve në një reagim të sajin.
Sipas ekspertëve, ka të ngjarë që zogjtë të kenë qenë duke fjetur në momentin që janë hedhur fishekzjarret dhe kanë ngordhur nga frika e zhurmave të tyre.
Fotot e publikuara i përkasin rrugës pranë stacionit kryesor të trenit në Romë.
Edhe pse autoritetet italiane kishin ndaluar përdorimin e fishekzjarreve nga qytetarët, kjo thirrje u injorua masivisht.