Bota Rrugëtimi i gjatë i grave në ushtrinë amerikane

Rrugëtimi i gjatë i grave në ushtrinë amerikane

Vetëm 25 vjet më parë, gratë në SHBA nuk lejoheshin të ishin pilote avionësh luftarakë apo të përdornin tanke. Por megjithë pengesat fizike dhe kulturore, gratë gjithmonë kanë dashur të shërbejnë në ushtri. Iuliia Iarmolenko e Zërit të Amerikës bisedoi me një nga veteranet të Luftës së Dytë Botërore që gjeti një mënyrë për ta realizuar ëndrrën e saj në një kohë kur dukej e pamundur.

Libby Haynes është 92 vjeç. Avionët kanë qenë pasioni i saj për mbi 75 vjet. Kur mamaja i dhe 10 dollarë si dhuratë për ditëlindje në moshën 17 vjeçare, Haynes dinte ç’të bënte.

“Prenotova një mësim fluturimi. Shpenzova 6 dollarë për të marrë me qera një avion të lehtë për një orë, 3 dollarë për një instruktor dhe një dollar për bllokun e regjistrimit të orëve”.

Në vitin 1945, Libby kishte përfunduar një kurs trajnimi për Programin e Patrullës Civile Ajrore për Kadetët dhe u bë infermiere. Por pas Luftës së Dytë Botërore, ajo vendosi t’i rikthehej fluturimit.

“E vetmja mënyrë që mund ta përshkruaj është që kisha një pasion të jashtëzakonshëm dhe që isha e destinuar të hyja në Forcën Ajrore. Nuk di nëse mund ta quaj një forcë të padukshme por ishte vendimi më i mirë që kam marrë ndonjëherë në jetë!”

Ushtria amerikane nuk pranonte gra në shërbimin aktiv ushtarak deri në vitin 1972, por më parë Haynes monitoronte motin për avionët. Ajo ishte edhe pilote me Patrullën Ajrore Civile dhe bleu një avion të vogël që e përdorte për të shkuar në shtëpi për fundjavë.

“Akoma kisha një patentë provizore kur e bleva avionin PG-23 Surplus për 500 dollarë, që ishte sa rroga e dy muajve!”

Puna nuk i solli vetëm kënaqësi profesionale, sepse përmes saj Haynes takoi edhe të shoqin, një pilot. Por kur mbeti shtatzënë, një nga kolegët e raportoi tek zyrtarët e lartë dhe ajo u lirua nga ushtria. Marilla Cushman e Memorialit për Gratë Amerikane në Shërbimin Ushtarak, thotë se nuk ishte një vendim personal.

“Në atë kohë nëse kishte fëmijë, nëse mbesje shtatzënë, ishe apo nuk ishe e martuar duhej të largoheshe”, thotë ajo.

Cushman hyri në ushtri në vitet ‘70, por nuk ishte në gjendje të bënte atë që donte.

“U zhgënjeva që nuk bëja dot më shumë, që nuk mund të bëja disa nga ato që lejoheshin të bënin burrat”, thotë ajo.

Në mes të viteve 1970, rregullat ndryshuan dhe gratë u lejuan si pilote për avionë joluftarakë. Pas luftës së Gjirit në 1990-1991, edhe ai kufizim ishte eliminuar. Cushman beson se ushtria amerikane e kuptoi që kishte nevojë për gratë.

“Veçanërisht në luftën kundër terrorizmit, filluam të rekrutojmë më shumë gra, në njësitë e këmbësorisë dhe forcat e posaçme, sepse ndërsa forcat shkonin në Afganistan dhe Irak, për shkak të çështjeve kulturore u bë e qartë se nuk mund t’ia dilnim pa pjesëmarrjen e tyre”.

Sot gratë në ushtrinë amerikane, përbëjnë 14 për qind të personelit. Por u deshën vite luftime për të arritur në këtë pikë.

“Brezat e ardhshëm duhet ta dine se edhe gratë në uniformë, garantuan lirinë e tyre. Se vendosmëria jonë ishte po aq e madhe sa edhe e burrave…”

Si Libby Haynes, edhe Marilla Cushman thonë se janë të lumtura të shohin pozicionin që gëzojnë gratë në ushtri sot. Megjithëse Haynes thotë se kufizimet asnjëherë nuk arritën ta frenojnë./VOA