Kryesore Rrugëtimi i pazakontë i Zelenskit, nga komedian në një hero që ka...

Rrugëtimi i pazakontë i Zelenskit, nga komedian në një hero që ka habitur botën

Kur Volodimir Zelenski po rritej në Ukrainën juglindore, familja e tij hebreje fliste rusisht dhe babai i tij ia ndaloi të shkonte në moshë të re për të studiuar në Izrael. Për këtë arsye, zoti Zelenski studioi për jurisprudencë në Ukrainë. Pas diplomimit, ai gjeti një profesion të ri në fushën e aktrimit dhe komedisë, duke arritur që në vitet 2010 të bëhej një nga personazhet kryesore të skenës në Ukrainë, me serialin televiziv “Shërbëtori i popullit”.

Në këtë film serial, ai luajti rolin e një mësuesi të shkollës së mesme që ishte lodhur me politikanët e korruptuar dhe që bëhet aksidentalisht president.

Vetëm pak vite pas këtij filmi serial, Zelenski është bërë me të vërtetë president i Ukrainës. Gjatë periudhës përpara sulmit rus, komediani i shndërruar në burrë shteti dukej herë pas here i paqëndrueshëm, duke kritikuar një ditë Perëndimin për ngjallje paniku dhe ditën tjetër se nuk kishte bërë mjaftueshëm. Por, trimëria e tij dhe refuzimi për t’u larguar, ndërkohë që raketat binin mbi kryeqytetin, e shndërruan atë në një hero të papritur në mbarë botën.

Me kurajo, humor të mirë dhe fisnikëri, megjithëse i gjendur nën sulm ushtarak, ai ka bashkuar popullin e tij dhe ka impresionuar homologët e tij perëndimorë. Ish-aktori 44-vjeçar me flokë të errët dhe jo shumë shtatlartë, vazhdon të qëndrojë megjithëse thotë se sulmuesit rusë e kanë vendosur në shënjestër.

Pas një oferte nga Shtetet e Bashkuara për ta larguar drejt një vendndodhjeje më të sigurtë, zoti Zelenski u përgjigj të shtunën: “Kam nevojë për municion, jo për transport”. Sipas një zyrtari të lartë të zbulimit amerikan që ka dijeni të drejtpërdrejtë të bisedës së zhvilluar, ai e dha madje përgjigjen në gjuhën ukrainase.

Forcat ruse po rrethonin të shtunën Kievin, në ditën e tretë të luftës. Objektivi kryesor i tyre, thonë vëzhguesit ushtarakë, është që të arrijnë në kryeqytet për të larguar nga pushteti zotin Zelenski dhe qeverinë e tij, dhe për ta zëvendësuar me një person më të pajtueshëm me Presidentin rus Vladimir Putin.

Guximi i qëndrimit të Zelenskit në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës ndoshta nuk pritej nga një person dobësia më e madhe politike e të cilit ishte prej vitesh ndjesia se ishte shumë i prirur për kompromise me Moskën. Ai bëri fushatë elektorale me premtimin se mund të negocionte paqen me Rusinë, e cila kishte ankesuar Krimenë nga Ukraina dhe u dha formë dy rajoneve separatiste pro-ruse në vitin 2014, duke shkaktuar një konflikt të ngrirë që mendohet se mori jetët e 15 mijë personave.

Megjithëse zoti Zelenski arriti të realizojë një shkëmbim të burgosurish, përpjekjet për pajtim u lëkundën për shkak se këmbëngulja e zotit Putin që Ukraina t’i largohej Perëndimit u bë edhe më intensive, duke e paraqitur qeverinë në Kiev si një çerdhe ekstremistësh të drejtuar nga Uashingtoni.

Zoti Zelenski e ka shfrytëzuar historinë e tij për të provuar se vendi i tij është një vend mundësish, dhe jo një shoqëri e mbushur me urrejtje siç e paraqet imagjinata e zotit Putin.

Megjithë historinë e errët të Ukrainës të antisemitizmit, që shekuj më parë me pogromet e Kozakëve, si edhe më pas me bashkëpunimin e disa nacionalistëve anti-sovjetikë me gjenocidin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ukraina me zgjedhjen e zotit Zelenski në vitin 2019, u bë i vetmi vend përveç Izraelit me një president dhe kryeministër hebrenj. (Gjyshi i zotit Zelenski kishte luftuar në Ushtrinë Sovjetike kundër nazistëve, ndërsa familjarë të tij vdiqën në Holokaust.)

Ashtu si edhe personazhi që ai interpretonte në televizion, zoti Zelenski erdhi në detyrë me një fitore dërrmuese në zgjedhje ndaj një biznesmeni miliarder. Ai premtoi të eliminonte pushtetin e oligarkëve të korruptuar që kontrollonin Ukrainën që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.

Ardhja në pushtet e këtij të panjohuri politik që bëri fushatë kryesisht në mediat sociale, ka shumë gjasa ta ketë shqetësuar zotin Putin, i cili gradualisht ka zbutur dhe shtypur opozitën e tij politike në Rusi.

Rivali kryesor politik i presidentit rus, Alexei Navalny, u helmua nga shërbimet sekrete ruse në vitin 2020 me një agjent nervor. Ai po luftonte për jetën kur u lejua nën presionin diplomatik ndërkombëtar të nisej për në Gjermani për trajtim mjekësor dhe pasi mjekët e shpëtuan, ai zgjodhi të kthehej në Rusi, pavarësisht nga rreziku që e priste.

Zoti Navalny, që aktualisht është i burgosur në Rusi, ka denoncuar operacionin ushtarak të zotit Putin në Ukrainë.

Si presidenti Zelenski edhe zoti Navalny duket se ndajnë një perspektivë se ata duhet t’u bëjnë ballë pasojave për bindjet e tyre, cilatdo qofshin ato.

“Është një përvojë e frikshme të shkosh të takosh presidentin e një vendi fqinj, kolegun tënd, për ta mbështetur atë në një situatë të vështirë, (dhe) dhe dëgjon atë të të thotë se mund jetë hera e fundit që e takon sepse do të qëndrojë atje dhe do ta mbrojë vendin e tij deri në fund”, tha të premten presidenti polak Andrzej Duda.

Ai u takua me zotin Zelenski të mërkurën pak para fillimit të luftimeve, një nga shumë udhëheqësit politikë që u takuan me presidentin ukrainas gjatë muajit të kaluar, përfshirë nën presidenten e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris.

Emri i zotit Zelenski u bë i njohur për herë të parë për shumë amerikanë gjatë administratës së ish-Presidentit Donald Trump, i cili në një telefonatë me presidentin ukrainas në vitin 2019 i kërkoi atij të gjente informacion të pafavorshëm për kandidatin e atëhershëm presidencial Biden dhe djalin e tij Hunter që mund të ndihmonte zotin Trump në fushatën zgjedhore. Ajo telefonatë “e përkryer”, siç e quajti zoti Trump më vonë, rezultoi në hapjen e procesit për shkarkimin e zotit Trump nga Dhoma e Përfaqësuesve, nën akuzat për shpërdorim detyre dhe për përpjekjen për të mos akorduar 400 milionë dollarë në ndihmë të autorizuar ushtarake për Ukrainën, për përfitime personale politike.

Presidenti Zelenski refuzoi të kritikonte telefonatën e zotit Trump, duke thënë se nuk donte të përfshihej në politikën e një vendi tjetër.

Presidenti Putin e justifikoi sulmin ndaj Ukrainës duke thënë se e kishte ndërmarrë për të mbrojtur dy rajone separatiste në Ukrainën lindore nga “gjenocidi”.

Ndërsa mediat ruse e paraqesin në këtë dritë vendin e tij, zoti Zelenski regjistroi një mesazh për qytetarët rusë për të hedhur poshtë idenë se Ukraina është agresori dhe se ai po nxit luftën: “Po ju thonë se kam urdhëruar një ofensivë në Donbas, për të qëlluar, për të bombarduar dhe se nuk ka dyshim që kjo po ndodh. Por ka pyetje, dhe shumë të thjeshta. Kë po qëllojmë, çfarë po bombardojmë? Donjetskun?”

Duke përmendur vizitat dhe miqtë e tij të shumtë në atë rajon ai tha: “Është toka jonë, është historia jonë. Për çfarë do të luftojmë dhe me kë?”

I parruar dhe i veshur në ngjyrë të gjelbër, ai ka regjistruar edhe mesazhe të tjera për bashkatdhetarët e tij në internet në ditët e fundit për të forcuar moralin dhe për të theksuar se ai nuk do të shkojë askund, por do të qëndrojë për të mbrojtur Ukrainën.

“Ne jemi këtu. Lavdi Ukrainës,” deklaron ai.

Në prag të pushtimit rus, presidenti Zelenski ishte kritik ndaj paralajmërimeve të hapura dhe të detajuara të Presidentit Joe Biden për synimet e zotit Putin, duke thënë se ato ishin të parakohshme dhe mund të shkaktonin panik. Më pas, pasi filloi lufta, ai e ka kritikuar Uashingtonin se nuk ka bërë më shumë për të mbrojtur Ukrainën, duke përfshirë mbrojtjen e saj ushtarakisht ose përshpejtimin e ofertës së saj për t’u bashkuar me NATO-n.

Zoti Zelenski dhe gruaja e tij, Olena, një arkitekte, kanë një vajzë 17 vjeçe dhe një djalë 9 vjeç. Ai tha këtë javë se ata janë në Ukrainë, duke mos iu bashkuar eksodit të refugjatëve kryesisht gra dhe fëmijë që kërkojnë siguri jashtë vendit.

“Lufta e ka transformuar ish-komedianin nga një politikan lokal me iluzione madhështie në një burrë shteti të mirëfilltë,” shkruante të premten Melinda Haring e Qendrës për Eurazinë në Këshillin e Atlantikut.

Megjithëse ai mund të kritikohet se nuk i ka ndërmarrë aq shpejt sa ç’duhet reformat politike dhe se nuk e forcoi me shpejtësinë e duhur kufirin e gjatë të Ukrainës me Rusinë gjatë vitit të kaluar, tha zonja Haring, Zelenski “ka treguar vendosmëri. Ai ka demonstruar guxim të madhe, ka refuzuar të fshihet në strehime, duke zgjedhur të qarkullojë hapur me ushtarët dhe një patriotizëm të palëkundur që jo shumë vetë e prisnin nga dikush rusishtfolës nga Ukraina lindore.”

“E meriton të vlerësohet. Ai ka qenë i palëkundur.”