Një sërë ngjarjesh kanë ndodhur në rrugicën ku banonte Mateo Vasiu, 8-vjeçari që u vra nga fqinji i tij, Klodian Çalamani. Gazetari Julian Kasapi tha në “Opinion” se rrugica në fshatin Grecalli ku ndodhej shtëpia e Mateo Vasiut, xhaxhait të tij, Florian Vasiut dhe shtëpia e Klodian Çalamanit ngjan si “rrugica e sekreteve”.
Dhe gjithçka duket se ka nisur në vitin 2006, kur Florian Vasiu dhe Klodian Çalamani dhunuan një 16-vjeçare. Gazetari tha se ka marrë në intervistë familjarët e adoleshentes së dhunuar atëherë, të cilët kanë treguar se dyshja kishte tentuar ta përdhunonte.
Por nga ky moment nisin edhe dramat për disa familje me radhë, me xhaxhain e 8-vjeçarit që largohet për të mos u ditur më ku është, Çalamanin që futet në burg dhe 16-vjeçaren që largohet drejt Italisë ku sot ka krijuar familjen e vet, por prapë se prapë ka mbetur me trauma nga ajo ngjarje e rëndë që ka përjetuar.
Dhe drama duket se vijon me rastin e dhimbshëm të martën ku 8-vjeçari u gjet i vdekur në shtëpinë e Çalamanit, ngjarje që ka tronditur tërë opinionin publik.
“Unë pata mundësi të intervistoja familjen Ristani, është nëna e vajzës 16-vjeçare. Shtëpitë e tyre janë ngjitur me familjen Vasiu me familjen e viktimës. Por ngjitur dhe me familjen e Florianit, i cili nuk gjendet se ku është që prej vitit 2006. Nëna e 16-vjeçares në atë kohë, Uranie Ristani, tha sot se vajza jonë u mor, karrem shërbeu motra e Klodian Çalamanit. Vajza u shpëtua nga Ligor Vasiu, babai i viktimës. Kur mbërriti në shtëpi vajza nxirrte shkumë nga goja. Ajo ishte tentuar të përdhunohej. Sipas nënës së 16-vjeçares kishte shenja të dukshme në kurriz.
Aty ka tre drama dhe mund të flasim për 3 familje të shkatërruara ku kemi dhe një familje të katërt. Pikë së pari në atë rrugicë, ajo ngjan si rrugica e sekreteve sepse janë 3 familje njëra pas tjetrës. I pari është Floriani, i cili nuk i hoqi në mënyrë të paligjshme lirinë një 16-vjeçareje, por e mori peng. Ky është një problem tjetër i sistemit të drejtësisë. Floriani u largua dhe burgun e bëri vrasësi. Floriani nuk u gjet asnjëherë dhe madje babai i 16-vjeçares sot akuzoi dhe efektivë të policisë, me emër dhe mbiemër, për të cilët tha se Floriani ka pasur lidhje.
Floriani largohet. Motra e vrasësit detyrohet të largohet. Nga ana tjetër kemi dhe rastin e familjes Vasiu e cila bëhet familja e katërt. Kemi dhe vajzën 16-vjeçare e cila është larguar për në Itali. Pra kemi Florian Vasiu, i cili mori peng së bashku me vrasësin një 16-vjeçare. Florian Vasiu zhduket. Kemi motrën e vrasësit e cila ka ikur për në Maqedoninë e Veriut së bashku me të ëmën. Kemi edhe së fundmi edhe personin tjetër, vajzën 16-vjeçare që ka ikur në drejtim të Italisë. Ajo është mirë, por ka ngelur me trauma”, tha Kasapi.