Gazetarja Anila Hoxha ka deklaruar se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zgjeruar hetimet për tenderat e zhvilluara nga Radio Televizioni Shqiptar pas arrestimit të ish-drejtorit Thoma Gëllçi.
E ftuar në “Open”, Hoxha tha se janë sekuestruar dosjet e gjashtë tenderave dhe po hetohen.
“SPAK i referohet një kallëzimi të kompanisë që u skualifikua nga kjo garë. Vepër për Gëllçin është ‘shpërdorim detyre’ në lidhje me shkeljen e afateve 45 ditore që ishin vënë si kusht. Brenda 45 ditëve duhej të ekzekutohej. Në momentin që përfundon afati Gëllçi nënshkruan një shtesë afati duke e shtyrë përtej limiteve, ndërkohë që evidenton shkelje të tjera që RTSH Agro është evidentuar nga AMA dy vite nga hapja e procedurave të tenderit. Janë edhe disa shkelje që përcaktohen të jenë teknike. Momentet e fundit SPAK ka dërguar një urdhër tjetër. Ka zgjeruar hetimet sa i takon RTSH. Është dërguar një sekuestro dokumentesh për shkelje të barazisë. Kërkon të sekuestrohet e gjitha pjesa e tenderit. SPAK ka zgjeruar hetimet edhe për tendera të tjerë për kërkesë të RTSH, janë 6 tendera me praktikë objekt,”- tha Hoxha ndër të tjera.