Kryesore Ruçi i bindur: Pas 25 qershorit nuk do bëjmë koalicion me PD-në...

Ruçi i bindur: Pas 25 qershorit nuk do bëjmë koalicion me PD-në apo LSI-në

Gjatë një takimi elektoral më qytetarët në Fier, qark ku kandidon për deputet, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi u shpreh se pas zgjedhjeve nuk do të ketë asnjë koalicion me PD apo LSI.

Shpreh bindjen dhe ju garantoj se nuk do të ketë koalicione as me PD dhe as me LSI në qeverisjen tonë pas 25 qershorit. Të votojmë të gjithë PS për të patur në krye të qeverisë tonë Edi Ramën, projektuesin e reformave më të mëdha të vendit, për të qeverisur të vetëm dhe siç dimë ne të ndërtojmë shtet”, u shpreh kreu i grupit të PS-së.

Ndërkohë ai ka komentuar edhe marrëveshjen e 18 majit Rama-Basha për të cilën tha se ishte një marrëveshje në të mirë të vendit.

“Marrëveshja me PD, ishte një marrëveshje në të mirë të vendit. Askush nuk dëshiron prishjen e stabilitetit që kemi arritur, askush nuk do të dëshironte të vihej në diskutim rezultati zgjedhor. Për herë të parë në këto zgjedhje nuk ka ankth dhe frikë. Pas numërimit të votave, humbësi të pranojë humbjen dhe fituesi të menaxhojë fitoren”, përfundoi ai.