Një delegacion nga Partia Demokratike e Kosovës po zhvillon një vizitë në Tiranë, ku do të ketë takime me krerët më të lartë të shtetit. Delegacioni i përbërë nga Enver Hoxhaj, kryetari në detyrë i partisë, zëvendës kryetari Xhavit Haliti, dhe Sekretari e Përgjithshëm, Uran Ismaili ka zhvilluar një bisedë më kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçin.
Në një njoftim nga Kuvendit bëhet me dije se Ruçi në fjalën e tij vlerësoi qëndrimin e drejtuesve institucioneve të Kosovës dhe të UÇK-së dhe gatishmërinë e plotë të tyre për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën e luftës së madhe për shpëtimin e popullit të saj nga krimet monstruoze dhe gjenocidi i Serbisë.
“Ne nuk duhet të lejojmë që të njolloset imazhi i Kosovës, i luftës së saj çlirimtare dhe i përpjekjeve për t’u ndërtuar, njohur e integruar si shtet i pavarur. E vërteta është se Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta.
Vepra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, e arritur me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe NATO. UÇK-ja dhe populli kosovar kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. Drejtësinë e kësaj lufte e ka vërtetuar koha”, theksoi Ruçi.
Më tej kryeparlametari ka thënë se në mbështetje të Kosovës, Kuvendi i Shqipërisë, prej vitit 1991, ka miratuar 18 Rezoluta dhe Deklarata, të cilat kanë kontribuar në ndriçimin e të vërtetës.
“Sot është i nevojshëm unifikimi i qëndrimeve politike e kombëtare të të gjitha institucioneve, forcave politike dhe zërave publikë, kombëtarë e ndërkombëtarë, të Kosovës dhe për Kosovën”, shtoi ai.