A ka një krisje mes trajnerit të Kombëtares Edi Reja dhe sulmuesit Armando Broja? Mungesa e këtij të fundit në dy ndeshjet me Anglinë dhe Andorrën u justifikua me gjendjen fizike të lojtarit, por që marrëdhënia mes tij dhe trajnerit italian nuk është e qetë, kjo mund të kuptohet lehtë.
Ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, ka folur me siguri të plotë për një qejfmbetje të trajnerit ndaj sulmuesit, për shkak se nuk pranoi të transferohej në Itali, konkretisht tek Udineze.
“Reja ka bërë një gabim të madh me Brojën, – ka thënë Vata në një emisionin sportiv Skaner. – Në verë Broja kishte dilemën për t’u huazuar në një ekip tjetër dhe ndërhyri Reja, i cili i sugjeroi Italinë, Udinezen. Sulmuesi dhe familja e tij vendosën të qëndrojnë në Angli dhe këtu nisi edhe konflikti mes trajnerit dhe Brojës.
Sulmuesi refuzoi sugjerimin e Rejës. Dihet që Reja tentoi ta dërgonte Brojën tek Udineze”.
Më parë, sa herë është pyetur pse Broja nuk aktivizohet më shumë me Kombëtaren, trajneri italian është shprehur se ai duhet të punojë më shumë në disa aspekte, veçanërisht në lojën pa top.
Broja ka qenë vendimtar në dy ndeshjet me Hungarinë, ku na ka dhuruar 6 pikë dhe tani mbetet të shihet si do të shkojë marrëdhënia e tij me trajnerin Reja, nëse ky i fundit do të vazhdojë të jetë në krye të kuqezinjve, pasi ka zëra për një largim të tij, edhe pse kontrata i përfundon në fund të vitit të ardhshëm.