Deputetja Rudina Hajdari, një ditë më parë, në fjalën e mbajtur nga foltorja e Kuvendit, bëri thirrje për ta shpallur emergjencë kombëtare vëmendjen në drejtim të grave të dhunuara, ndërsa i dha edhe një ngjyrim personal fjalës së saj teksa zbuloi se edhe ajo vetë kishte qenë viktimë e dhunës.
Në studion e Ilva Now, në Euronews Albania, vajza e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari rrëfeu situatën e vështirë që kishte përjetuar personalisht pas vdekjes tragjike të babait të saj, kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe.
“Është një fakt që s’e fsheh dot, kam kaluar një jetë shumë të vështirë, pak njerëz e njohin jetën time personale.
Humba babanë në një moshë shumë delikate, dhe kjo të bë të ekspozohesh ndaj gjërave që rrisin para kohe. Ka qenë viti 98, një vit shumë i vështirë për Shqipërinë, po ashtu ne kemi pasur kërcënime të ndryshme nga njerëz të ndryshëm.
Patjetër, ka qenë një dhunë nga të gjitha anët. Unë isha fëmijë dhe nuk kisha mbështetje për atë traumë që po përjetoja në ato momente. Dhe nuk kisha mbështetje, sepse kisha një nënë e cila ishte shtatzënë dhe vazhdonte jetën e saj dhe po mundohej të mbahej fort për fëmijët e saj. Kisha një vëlla, i cili ishte më i madh se unë edhe ai po ashtu dhe ai po përjetonte një dramë. Dhe absolutisht asnjë njëri nuk ishte në gjendje të na mbështeste në këtë traumë.
Dhe kjo është një dhunë që patjetër fëmija ndjen. Unë isha 11-vjeçare, isha tepër e re dhe shumë shpejt m’u desh të largohesha nga Shqipëria”, rrëfeu deputetja Hajdari.
E pyetur nga gazetarja Ilva Tare nëse dhuna për të cilën ajo foli ishte fizike, znj. Hajdari tha se dhunën, femrat shqiptare ndonjëherë e përjetojnë që në djep, kur lindin dhe janë të padëshiruara vetëm se janë femra, ndërsa shtoi se rasti i saj është ai me të cilin mund të identifikohen shumë vajza të reja.
Deputetja e dalë nga listat e Partisë Demokratike, por e përjashtuar nga kjo parti prej liderit Lulzim Basha, risolli në vëmendje rastin e saj për të konkretizuar dhunën që manifestohet në politikë.
“Sot unë jam 32 vjeçe dhe i jam futur një rruge të vështirë siç është politika dhe në këtë ambient elitar këta janë ata persona që vazhdojnë në mënyrë sistematike të abuzojnë mbi gratë. Vjet kur unë dola kundër një lidershipi, një figurë mashkulli dhe aty ekspozohet e vërteta si guxon kjo femër të mos i bindet një lideri. Nëse në elitën politike ekziston, kjo çfarë ndodh në familjet shqiptare. Politika shqiptare ka prishur bazën e familjes. Ne jemi shoqëri nihiliste dhe politika nuk di t’i mbrojë gratë. Sot 60 për qind e grave dhunohen në mënyrë të hapur dhe nuk bëhet asgjë”, tha znj. Hajdari.