Një ditë pas kreu demokrat Lulzim Basha reagoi ashpër ndaj shpalljes së listave të hapura nga kryeministri Rama, deputetja Hajdari solli në vëmendje të publikut rastin kur Basha, në Çadrën e tij të 2017-s, premtonte hapjen e listave.
“Kjo është hera e fundit që një kryetar partie vendos listën e deputetëve, sepse herën tjetër, listën e deputetëve do ta vendos vetëm qytetari shqiptar”, dëgjohet të thotë kreu demokrat në një video, përcjellë për publikun nga znj. Hajdari, ithtarë e hapjes së listave.
“Pra siç e shikoni ky ishte një premtim që nuk u mbaj dhe në fakt në politikë duhet të mbash një qëndrim të qartë dhe të jesh koherent me publikun”, tha deputetja Hajdari.
“Basha nuk e mbajti këtë premtim dhe sot goditi këtë premtim që vetë e ka bërë. Unë mendoj që një politikan duhet të ketë qëndrueshmëri. Listat e hapura është një premtim që po i jepet qytetarëve shqiptarë që nesër ata të zgjedhin atë person që meriton të shkojë në parlament”, shtoi ajo.
Edhe pse vetë e ardhur në parlament na listat e mbyllura, deputetja Hajdari tha se do dëshironte ta merrte një mandat direkt nga vota qytetare, pra me lista të hapura.
“… Që nesër të dal si Rudina Azem Hajdari që nuk ka frikë nga vota e qytetarëve dhe ta marrë atë votë me meritë të plotë“, tha znj.Hajdari.