Karl-Heinz Rummenigge, i njohur si “Kalle”, ish-sulmues i madh, menaxheri i madh. Bayern Munich dhe Interi janë në zemrën e tij. Gjerman nga lindja dhe italian nga birësimi, i lidhur me ngjyrat zikaltër dhe Italinë në përgjithësi: “Ndjenja ime me Italinë është gjithmonë e njëjtë, e pandryshuar. Kam kaluar kohë të paharrueshme”.
Në prag të ndeshjes së parë të Kupës së Italisë ndërmjet Interit dhe Juves, “Kalle” dha një intervistë të gjatë për “Mediaset”. Një bisedë në të cilën e kaluara dhe e tashmja, Seria A dhe Liga e Kampionëve, fusha dhe drejtësia sportive mbivendosen e kryqëzohen. Mendim i gjerë dhe asnjëherë i parëndësishëm i dikujt që fillimisht si lojtar e më pas si menaxher ka treguar gjithmonë se është mbi normën.
“Sigurisht që nuk është një sezon i lehtë për Interin, – filloi “Kalle”. – Të gjithë prisnim më shumë, në një moment mendova se zikaltrit mund ta fitonin titullin, por më pas situata u përkeqësua. Një sfidë interesante, madje e rëndësishme, por objektivi për t’u arritur patjetër është Liga e Kampionëve. Ekipi duhet të rifitojë besimin, të luajë më mirë dhe të marrë pikë të çmuara në kampionat”.
Pikëpamje shumë e qartë, e shprehur jo si “fans”, por si një administrator i shkëlqyer siç ishte. Juve përfaqëson edhe rivalin për t’u mundur nga Rummenigge:
“Kundër bardhezinjve shënova golat e mi të parë në Itali, një ndeshje e paharrueshme. Sot Juventusi është në vështirësi si klub, imazhi i tij është njollosur nga hetimet në vazhdim.
Zbritja e 15 pikëve nga klasifikimi e bën të vetën. Kualifikimi në Champions League shumë i komplikuar, por është e vërtetë që po ia dalin mirë në fushë. Është për të ardhur keq që ndodhi ajo që ndodhi. Juventusi në Itali është si Bayerni në Gjermani, është një dëm i madh për imazhin. Andrea Agnelli? E njoh mirë, por nuk e kuptova se cilën rrugë mori kur vendosi të themelonte Superligën”.
Nëse titulli i Serie A është vendosur për për “Kalle” (“Napoli po kalon një sezon të mrekullueshëm, vetëm duhet të qëndrojë i fokusuar, por e meriton titullin”), Liga e Kampionëve është e hapur. Me Italinë që më në fund kthehet në qendër të vëmendjes: “Edhe nëse Milani fitoi 4-0, do të jetë ndryshe në Champions.
Ndaj Napolit gjithçka mund të ndodhë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Interi sigurisht që nuk është favorit karshi Benfica. Ekipi portugez është shumë i fortë, i stërvitur mirë dhe meriton respekt të madh. Pastaj janë Bayern-City dhe Real-Chelsea.
Guardiola është një mik i imi, Tuchel sapo ka ardhur, por tashmë ka bërë shumë mirë kundër Dortmundit. Një ndeshje stresuese për të dyja skuadrat, sigurisht. Një finale e hershme. Kur vjen puna te Reali, mendoj për Ancelottin. Një person i shkëlqyer, një trajner i madh, ai di të fitojë në Evropë”.
Nga parashikimet për ngjarjet aktuale deri te mbyllja e intervistës kushtuar të ardhmes së futbollit italian dhe atij ndërkombëtar: “Shpresoj që kandidatura e Italisë për ‘Euro 2032’ të mund të bëjë atë që bëri Kupa e Botës 2006 për Gjermaninë.
Pika jonë e kthesës u përfaqësua nga stadiumet e ndërtuara atë kohë, shpresoj të ndodhë edhe me Italinë. Për futbollin në përgjithësi kam menduar gjithmonë që ka rëndësi cilësia dhe jo sasia. Duhet kujdes nga shumë angazhime, shumë ndeshje. E përsëris, cilësia dhe jo sasia”.