Shefi ekzekutiv i Bayernit të Mynihut, Karl-Heinz Rummenigge foli rreth disa temave interesante në një intervistë për emisionin e Mediaset, Tiki Taka.
Drejtuesi i kampionëve të Gjermanisë preku disa argumente, duke nisur nga ai që i përket futbollistit brazilian të huazuar nga Juventusi, Douglas Costa.
“Ende nuk kemi vendosur nëse do e blejmë përfundimisht, por jemi shumë të kënaqur me atë që po bën. Është i zoti si në fushë, edhe jashtë saj, por kjo pandemi ka përmbysur gjithçka dhe ende nuk e dimë se si do të lëvizim në merkato”, u shpreh ai.
Një koment pastaj drejtuesi i Bayernit e rezervoi për Juventusin, që nuk e ka nisur si duhet sezonin, por që është ende në garë për objektivat sezonalë. Edhe Rummenigge nuk e konsideron Juven jashtë lojës, si për titull ashtu edhe në Champions League.
“Juventusi nuk po bën aq mirë në krahasim me disa skuadra të tjera në kampionat, por mund të luftojë ende për titullin dhe edhe në Europë është një kundërshtar për t’u respektuar. Gjithsesi uroj që titullin ta fitojë Interi, pasi ka kohë që nuk fitojnë një trofe”, deklaroi Rummenigge.
Në fund edhe një mendim për numrin 7 të Juventusit, Cristiano Ronaldo që u nderua në Dubai si lojtari i shekullit. Rummenigge rezervon vetëm lëvdata për portugezin në lidhje me atë që ka bërë jo vetëm te Juventusi, por edhe në gjithë karrierën, gjatë të cilës ka udhëhequr drejt suksesit skuadrat ku ka bërë pjesë.
“E meritoi çmimin si lojtari më i mirë i shekullit, ka luajtur 10 vite të jashtëzakonshme dhe po bën edhe tani shumë mirë te Juve. Ne jemi të kënaqur me Lewandowskin, që në 2020-ën na bëri të fitojmë 5 trofe, mes të cilëve edhe Championsin. Është një sulmues i jashtëzakonshëm”, deklaroi drejtuesi bavarez.