Moska ka shprehur zemërim për përpjekjet e Uashingtonit për të minimizuar rolin e Bashkimit Sovjetik në mposhtjen e Gjermanisë naziste në 1945, duke thënë se dëshironte të “bisedonte seriozisht” me krerët amerikanë.
“Jemi jashtëzakonisht të indinjuar nga përpjekjet për të shtrembëruar rezultatin (…) të kontributit vendimtar të vendit tonë”, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë, duke iu referuar një deklarate të postuar më herët në faqen e Facebook të Shtëpisë së Bardhë që përmend vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë në mesin e fituesve ndaj nazistëve.
“Udhëheqësit amerikanë nuk patën guximin ose vullnetin të paguanin haraç ndaj rolit të padiskutueshëm të Ushtrisë së Kuqe dhe popullit sovjetik”, shtoi Rusia, duke vënë në dukje “numrin e madh të viktimave” që pësoi në luftën e saj “në emër të tërë njerëzimit”.
Një çështje e ndjeshme në Rusi
Duke i quajtur deklaratat amerikane “jashtëzakonisht të ulëta”, Rusia i bëri thirrje Uashingtonit që të mos e bëjë kujtimin e vitit 1945 “një problem të ri në marrëdhëniet bilaterale në të cilat tashmë ekzistojnë vështirësi”.
Roli i Bashkimit Sovjetik në fitoren ndaj Gjermanisë naziste, të paguar nga 27 milion sovjetikë të vrarë, është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme në Rusi dhe pika kryesore e fuqisë dhe reputacionit të Vladimir Putin.
Moska gjithashtu akuzon evropianët, veçanërisht polakët dhe ukrainasit, për zvogëlimin e kontributit të saj në Luftën e Dytë Botërore.
Rusia shënoi me modesti 75-vjetorin e fitores të shtunën, pa paradën e zakonshme ushtarake pasuar nga mijëra rusë në rrugë, e kjo për shkak të pandemisë.