Rusia ka goditur Ukrainën me raketa balisitike ndërkontinentale. Lajmi është bërë i ditur nga forcat ushtarake të Ukrainës. Nëse konfirmohet, kjo do të ishte hera e parë që Moska përdor një armë të tillë të fuqishme, e cila mund të mbajë si testata bërthamore, ashtu edhe konvencionale.
Ndërsa zyrtarisht nuk specifikohet se çfarë përmbajtje kishte raketa, një burim ushtarak tha për agjencinë e lajmeve AFP, se ajo nuk transportonte testatë nukleare.
Nga ana e saj, Rusia nuk komentoi deklaratën e forcave ajrore të Ukrainës. I pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë zhvillim, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha atyre të kontaktojnë ushtrinë ruse për koment. Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, konfirmoi sulmin rus me raketa balisitike Ndërkontinentale.
“Sot ishte një raketë e re ruse. Të gjitha karakteristikat – shpejtësia, lartësia – janë të një rakete balistike ndërkontinentale. Aktualisht është duke u zhvilluar një ekspertizë. Është e qartë se presidenti rus Vladimir Putin po përdor Ukrainën”, tha Zelensky.
Raketat balistike ndërkontinentale janë projektuar për të mbajtur koka bërthamore dhe kanë një rreze minimale prej 5,500 kilometrash.
Burimet dhe ekspertët, megjithatë thanë se ishte “e qartë” se raketa që goditi Ukrainën nuk mbante një ngarkesë bërthamore, gjë që tregon se Rusia e lëshoi atë kryesisht për efekt politik.
“Sot, fqinji ynë i çmendur ka treguar edhe një herë se kush është në të vërtetë – dhe se si e përçmon dinjitetin, lirinë dhe jetën njerëzore në përgjithësi. Dhe sa i frikësuar është”, tha Zelensky.
Reagimi erdhi pasi Ukraina sulmoi Rusinë me raketat franko-britanike “Storm Shadow”, të fundit armatime perëndimore që ushtria ukrainase është lejuar të përdorë ndaj objektivëve ruse, një ditë pasi lëshoi raketat amerikane ATACMS. Sulmet u raportuan nga korrespondentët rusë të luftës në Telegram, dhe u konfirmuan nga një zyrtar në kushte anonimiteti.
Paralelisht me zhvillimet në Ukrainë, Rusia kërcënoi edhe Poloninë anëtare të NATO-s, për faktin se SHBA hapi një bazë raketore atje më 13 nëntor pranë bregut të Detit Baltik.
“Ky hap përshtatet në praktikën afatgjatë shkatërruese të zvarritjes së infrastrukturës ushtarake të NATO-s pranë kufijve të Rusisë. Ai çon qartë në dëmtimin e stabilitetit strategjik, krahas lëvizjeve të tjera të dëmshme të natyrës ushtarake politike dhe teknike, që synojnë projektimin e fuqisë ushtarake amerikane larg territorit kombëtar të SHBA-së, për të ushtruar presion mbi Rusinë”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.
Në konferencën për mediat, Maria Zakharova, theksoi se, Rusia është e gatshme të marrë në konsideratë çdo iniciativë “realiste” të paqes për konfliktin në Ukrainë, e cila merr parasysh interesat e Rusisë dhe situatën në terren.