Rusia lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale nga rajoni jugor i Astrakhanit gjatë një sulmi të mëngjesit të së enjtes në Ukrainë, thanë forcat ajrore të Kievit, duke shënuar herën e parë që Rusia përdor një raketë kaq të fuqishme me rreze të gjatë veprimi gjatë një lufte.
Sulmi erdhi pasi Ukraina këtë javë përdori raketa amerikane dhe britanike për të sulmuar objektivat brenda Rusisë, diçka që Moska e ka paralajmëruar prej muajsh se do të shihet si një përshkallëzim i madh.
Sulmi rus kishte në shënjestër bizneset dhe infrastrukturën kryesore në qytetin e Dnipro, tha forca ajrore, në mes të një përshkallëzimi në luftën 33-mujore të Rusisë në Ukrainë.
Nga njoftimi për shtyp nuk është e qartë se çfarë synonte raketa balistike ndërkontinentale dhe nëse ajo shkaktoi dëm.
Raketat kanë një rreze veprimi prej mijëra kilometrash dhe mund të përdoren për të shpërndarë koka bërthamore, megjithëse ato mund të mbajnë edhe koka luftarake konvencionale. Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi gjashtë raketa lundrimi Kh-101 gjatë sulmit.
“Raketa balistike ndërkontinentale u lëshua nga rajoni Astrakhan i Federatës Ruse”, tha Kievi, ndërsa Moska nuk i ka komentuar lajmet për lëshimin për herë të parë të raketës ndërkontinentale.