Rusia e ka vendosur të gjithë flotën e saj të Paqësorit në gatishmëri luftarake në një rishikim të paparalajmëruar që përfshin Ishujt e diskutueshëm Kuril, në një sfond tensionesh masive me Perëndimin.
”Në një stërvitje shoqëruese të trupave, ushtarët do të praktikojnë mbrojtjen kundër një tentative armiku që të zbarkojë në Ishujt Kuril jugor dhe ishullin Sakhalin”, theksoi ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu.
Shefi i Shtabit Valery Gerasimov tha se ”manovra do të zhvillohet në tre faza, nga mobilizimi i trupave te nisja e anijeve dhe simulimi i operacioneve luftarake”.
Anija kryesore e Flotës Ruse të Paqësorit është kryqëzori i raketave Varyag. Ai do të shoqërohet nga tre fregata dhe rreth 60 anije luftarake dhe anije zbarkimi më të vogla, si dhe rreth 20 nëndetëse, duke përfshirë nëndetëse bërthamore.
Stërvitjet vijnë në mes të tensionit të rritur në rajonin e Azisë-Paqësorit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kryejnë stërvitje të përbashkëta ajrore pas një testi të raketës balistike ndërkontinentale nga Koreja e Veriut, shkruan Telegraph.
“Objektivi kryesor i këtij inspektimi është të rrisë aftësinë e Forcave të Armatosura për të zmbrapsur agresionin e një armiku të mundshëm nga drejtimi i oqeanit dhe detit”, tha Shoigu në televizionin shtetëror.