Një nga aleatët më të afërt të Presidentit rus Vladimir Putin paralajmëroi të enjten NATO-n se nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA-të, atëherë Rusia do të duhet të forcojë mbrojtjen e saj në rajon, pa përjashtuar dislokimin e armëve bërthamore.
Finlanda dhe Suedia po shqyrtojnë mundësinë e anëtarësimit në NATO. Kryeministrja finlandeze Sanna Marin tha se vendi i saj do të marrë një vendim në javët e ardhshme.
Dmitry Medvedev, i cili mban detyrën e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, tha se nëse këto dy vende hyjnë në NATO, atëherë Moska do të duhet të forcojë praninë e saj tokësore, detare dhe ajrore në Detin Baltik.
Zoti Medvedev ngriti gjithashtu në mënyrë të qartë mundësitë mbi një kërcënim bërthamor, duke thënë se nuk mund të flitet më për një Baltik pa armë bërthamore, një rajon ku Rusia ka enklavën e saj të Kaliningradit, të vendosur mes Polonisë dhe Lituanisë.
“Nuk mund të flitet më për një status pa armë bërthamore për Baltikun, ekuilibri duhet të rivendoset”, tha zoti Medvedev, i cili ka shërbyer si president nga viti 2008 deri në 2012.
Lituania tha se kërcënimet e Rusisë nuk ishin asgjë e re dhe se Moska kishte vendosur armë bërthamore në Kaliningrad shumë kohë përpara luftës në Ukrainë.
Anëtarësimi i mundshëm i Finlandës dhe Suedisë në NATO, një strukturë ushtarake themeluar në 1949 për të ofruar siguri kolektive kundër Bashkimit Sovjetik, do të shënonte një nga zhvillimet më të mëdha strategjike evropiane lidhur me luftën në Ukrainë.
Finlanda fitoi pavarësinë nga Rusia në vitin 1917 dhe ka zhvilluar dy luftëra kundër saj, gjatë Luftës së Dytë Botërore që rezultuan me humbjen e disa territoreve. Të enjten, Finlanda njoftoi një stërvitje ushtarake në pjesën perëndimore të saj me pjesëmarrjen e trupave ushtarake nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Letonia dhe Estonia.
Suedia nuk ka zhvilluar ndonjë luftë prej 200 vitesh dhe politika e jashtme e saj e pasluftës është përqendruar në mbështetjen e demokracisë në nivel ndërkombëtar, dialogun shumëpalësh dhe çarmatimin bërthamor.