Rusia do të forcojë aftësitë e saj ushtarake në rajonin e Polit të Veriut duke krijuar “forca operative” atje dhe duke përmirësuar kontrollin mbi zonën, sipas një dekreti të nënshkruar nga Presidenti Vladimir Putin.
Rregullorja mbi “bazat e politikës në Arktik deri në vitin 2035” përfshin shumë tema – nga përmirësimi i kushteve të jetesës së banorëve të zonës deri në zhvillimin e saj ekonomik dhe përshtatja me ndryshimin e klimës, raportojnë mediat e Moskës.
Në seksionin e sigurisë, dekreti thotë se këtë vit, Rusia duhet të “formojë forcat operative të Arktikut dhe një sistem aktiv kontrolli bregdetar” nën komandën e Shërbimeve Speciale (FSB), të ngarkuara me kontrollin e kufijve.
Ushtria ruse gjithashtu duhet të “përsosë sistemet e kontrollit të ajrit, detit dhe nënujit” në zonën e Polit të Veriut dhe të vazhdojë të “krijojë dhe modernizojë” bazat ushtarake, thuhet në dekret.
Për vite me radhë, Moska ka forcuar infrastrukturën e saj ushtarake në Arktik, ku ka disa baza moderne që mund të funksionojnë në mënyrë autonome.
Shtatorin e kaluar, ajo vendosi sisteme të mbrojtjes ajrore S-400 në arkipelagun e Tokës së Re në Arktik.
Kjo zonë, përveç rezervave të mëdha të hidrokarbureve, po provokon interesin e Moskës për shkak të Kalimit të Detit Verilindor, i cili duhet të bëhet një rrugë e re, e rëndësishme detare midis Evropës dhe Azisë.