Mediat shtetërore ruse kanë publikuar pamje filmike të amerikanit Paul Whelan në një burg në Rusi. Në lajmet e kanalit RT (Russia Today) u shfaqën pamje të ish-drejtuesit të kompanisë nga Miçigani në një burg të largët në Mordovia, në juglindje të Moskës. Në video zoti Whelan duket përkrah të burgosurve të tjerë ndërsa punon në një makinë qepëse me uniformat e burgut.
“Sot është hera e parë që kam parë se si duket që nga qershori i vitit 2020”, e shpreh në një email vëllai i tij David Whelan. Ai tha se kanali Russia Today kishte shkuar për ta filmuar zotin Whelan në burg në muajin maj dhe se kur ai kishte refuzuar, ishte ndëshkuar nga personeli i burgjeve. Në videon e publikuar, zoti Whelan dëgjohet t’i thotë personit që i drejton pyetje se nuk do t’i përgjigjet.
Nuk është e qartë se kur janë filmuar këto pamje. Zoti Whelan u ndalua në vitin 2018 dhe po vuan një dënim me 16 vite burgim për akuza spiunazhi. Zoti Whelan dhe Uashingtoni mohojnë që ai të ketë bërë aktivitet spiunazhi në Rusi. Administrata e Presidentit Biden pati shpresuar se do të siguronte lirimin e zotit Whelan gjatë negociatave që mundësuan lirimin nga burgjet ruse dhjetorin e kaluar të yllit të basketbollit amerikan Brittney Griner.
Zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni i kishte paraqitur Moskës një “propozim serioz” për të mundësuar lirimin e zotit Whelan. Këtë muaj u njoftua se Sekretari i Shtetit Antony Blinken bisedoi me telefon me zotin Whelan. Rusia vazhdon të mbajë nën arrest edhe shtetasin amerikan Evan Gershkovich, i cili punonte për gazetën Wall Street Journal. Ai akuzohet për aktivitet spiunazhi dhe mund të dënohet me deri në 20 vite burgim.
*Për këtë artikull u morën të dhëna nga agjencia e lajmeve Reuters. /VOA