Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, tha që, nëse Ukraina refuzonte “idenë e bashkimit me NATO-n”, atëherë “do të kontribuonte ndjeshëm në formulimin e një përgjigjeje shumë më kuptimplotë ndaj shqetësimeve të Rusisë”. Komenti i Peskov u bë në përgjigje të deklaratës së bërë nga ambasadori ukrainas në Londër përgjatë fundjavës.
Ambasadori Vadym Prystaiko, la të kuptohej se vendi i tij mund të merrte në konsideratë që të hiqte dorë nga ambiciet për t’u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior, për të shmangur luftën. Të hënën, Prystaiko sqaroi komentin e tij dhe tha se Ukraina është “gati për shumë lëshime”, por shtoi se ato “nuk kanë lidhje fare me NATO-n, që është e sanksionuar në Kushtetutën e vendit”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, sqaroi edhe më tej pozicionin e vendit të tij, duke thënë të hënën: “Mundësia që Ukraina të anëtarësohet në NATO është e sanksionuar në Kushtetutë dhe asnjë vendim nuk mund të merret duke rënë ndesh me të”.
Kur iu kërkua që t’i përgjigjej këtyre deklaratave, Peskov tha: “Nuk mund të perceptohet si një ndryshim në politikën e jashtme të Kievit. Por nëse Ukraina zotohet që të refuzojë idenë e bashkimit me NATO-n do të ishte një kontribut domethënës në formulimin e një përgjigjeje më kuptimplotë ndaj shqetësimeve të Rusisë”.
Rusia thotë se mbështetja e NATO-s për Ukrainën, furnizimi me armatime dhe stërvitja ushtarake, përbëjnë një kërcënim të madh për kufirin perëndimor të Rusisë. Peskov konfirmoi se Putin do të takohet të hënën me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe atë të Jashtëm, Sergey Lavrov, dy ditë pas bisedës telefonike me Joe Biden. Një zyrtar i lartë i administratës tha për gazetarët se takimi kishte pasur disa aspekte pozitive, por SHBA ende druhet se Rusia mund të nisë sulmin kundër Ukrainës.
Ministria e Jashtme e Rusisë akuzoi të premten Perëndimin se po përhap lajme të rreme për pushtimin “nga çasti në çast” të Ukrainës, në mënyrë që të tërheqë vëmendjen nga veprimet e veta agresive.