Rusia ka kaluar në renditjen botërore të të prekurve me koronavirus, Kinën dhe Iranin me të dhënat e fundit nga autoritetet e shëndetit publik.
Sipas këtyre të dhënave, gjatë 24 orëve të fundit në Rusi u regjistruan 6411 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin total të të prekurve në 93, 558.
Numri i viktimave është ende i ulët, në krahasim me vendet e tjera të goditura rëndë nga pandemia si SHBA apo Italia, por rastet e reja të shtuara kanë ngritur shqetësimin e autoriteteve ruse.
Shumë mjekë nuk iu besojnë të dhënave zyrtare dhe disa prej tyre listuan emrat e 72 mjekëve dhe infermierëve që sipas tyre kanë humbur jetën deri tani nga koronavirusi.
Një faqe online opozitare, gjithashtu denoncon se në disa spitale, mjekët dhe infermierët janë dorëhequr për shkak të rrogave të ulëta dhe mungesës së pajisjeve mbrojtëse ndaj koronavirusit të ri.
Putin: Vendet e punës nuk do të hapen deri më 11 maj
Vladimir Putin vendosi të zgjasë periudhën e moshapjes së vendeve të punës deri më 11 maj, ndërkohë që paralajmëroi se niveli i pandemisë në vend nuk kishte arritur akoma kulmin, sipas Reuters.
Presidenti rus e bëri njoftimin gjatë një takim virtual me zyrtarë të lartë të qeverisë dhe krerët rajonalë.
Kufizimet duhej të hiqeshin në fund të muajit prill, por Putini tha se maja e rasteve të infektimeve nga koronavirusi në Rusi nuk ishte arritur akoma.
Ai urdhëroi qeverinë që të vinte masa të reja për të mbështetur ekonominë dhe qytetarët, si edhe të përgatiste rekomandimet për lehtësimin gradual të kufizimeve të bllokimit në lidhje me COVID-19 deri më 5 maj.