Rusia ka bërë me dije se do të “ulë ndjeshëm aktivitetin e saj ushtarak përreth Kievit dhe Çernivihit”.
Sipas Reuters, lajmin e ka dhënë Ministria e Mbrojtjes ruse.
Pak më parë, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, që u shfaq pas një mungese të gjatë dhe spekulimeve për shëndetin e tij, tha për Interfax se të gjitha “detyrat kryesore të fazës së parë të operacionit special ushtarak në Ukrainë janë përmbushur”.
“Potenciali luftarak i forcave të armatosura të Ukrainës është zvogëluar ndjeshëm, gjë që bën të mundur përqendrimin e vëmendjes kryesore dhe përpjekjeve kryesore në arritjen e qëllimit final: çlirimin e Donbasit”, tha Shoigu.
Përfundojnë bisedimet Ukrainë-Rusi: Çështjet që u diskutuan
Pas 4 orë bisedimesh, kanë përfunduar negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë, delegacionet e të cilave u takuan sot në Turqi. Nuk dihet nëse do të ketë bisedime të tjera nesër.
Këshilltari i Presidentit ukrainas ka zbuluar çështjet që u diskutuan në Stamboll.
“Çështja e parë ishte marrëveshja për garancitë ndërkombëtare të Ukrainës. Vetëm me një marrëveshje të tillë përfundon lufta. Ukraina pranon statusin neutral vetëm nëse i jepen garanci”, tha Mykhailo Podolyak.
Çështja e dytë, shtoi Podolyak, “kishte të bënte me armëpushimin, në mënyrë që çdo problem humanitar të zgjidhet”.
“Dua të nënvizoj se sot kemi një tjetër problem, që është përshkallëzimi i luftës, i urrejtjes, dhunës dhe shkelja e rregullave të luftës, jo vetëm në fushëbetejë”, tha këshilltari presidencial.