Bota Rusia zotohet për një “përgjigje të fuqishme” ndaj SHBA-ve

Rusia zotohet për një “përgjigje të fuqishme” ndaj SHBA-ve

Rusia është zotuar për “një përgjigje të fuqishme” ndaj sanksioneve që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kundër bankave dhe individëve rusë.

“Nuk duhet të ketë dyshim, ndaj sanksioneve do të ketë përgjigje të fuqishme, jo detyrimisht simetrike, por të mirëkalibruara dhe të ndjeshme ndaj palës amerikane”, tha Ministria e Jashtme ruse.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë kanë vendosur sanksione ndaj Moskës, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi se ka njohur si shtete të pavarura, dy rajone në lindje të Ukrainës që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Putin tha po ashtu se do të dërgojë trupa ruse atje.

Këtij vendimi të Putinit i ka paraprirë edhe grumbullimi i të paktën 150,000 trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës, duke rritur frikën se Moska po përgatitet për një pushtim të plotë.

Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi dje për sanksionet e para ndaj Rusisë.

Në mesin e të sanksionuarve janë dy banka ruse. Po ashtu Moskës i është ndaluar qasja në institucionet financiare.

Përveç Shteteve të Bashkuara, sanksione kundër Rusisë kanë vendosur edhe Bashkimi Evropian, Britania, Australia, Kanadaja dhe Japonia.