Pesë persona në Elbasan janë nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.
Konkretisht, një oficer i policisë gjyqësore në Drejtorinë e Policisë Elbasan, Ç.Toska është lënë në arrest shtëpie.
Oficeri tjetër i policisë gjyqësore, S.Shuka është lënë në masën e detyrimit të paraqitjes.
Sekseri L.Hasa është lënë në masën arrest në burg, ndërsa Z.T. dhe L.T. janë lënë në detyrim paraqitje.
Ryshfeti është dhënë për të liruar kamionin që ishte kapur me një ngarkesë më dru.
Hetimi për këtë çështje ka nisur më datë 3 Nëntor 2022 dhe ka rezultuar se, sipas SPAK, oficerët e policisë gjyqësore Ç.Toska dhe S.Shuka, si dhe sekseri L.Hasa kanë marrë në disa raste përfitime monetare dhe përfitime materiale nga Z.Taragjini dhe L.Taragjini.
Gjithçka ka nisur kur kamioni me dru zjarri në pronësi të familjes Taragjini u bllokua në Gramsh nga Policia e Elbasanit.
L.Hasa, person i njohur i Z.Taragjini dhe L.Taragjini, ndërhyri si sekser tek dy oficerët e policisë gjyqësore për të liruar kamionin. Mësohet se ngarkesa e druve të zjarrit kushtonte rreth 300 mijë Lekë të vjetra.
Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.