Çmimi i apartamenteve në Tiranë në 5 vitet e fundit ka pësuar rritje në vlerën 30-40 % për ndërtimet në qendër dhe 10% për ato në periferi.
Në ndërtimet e reja, kryesisht komplekse apo kulla në zonat pranë qendrës së kryeqytetit, çmimet e apartamenteve të banimit variojnë nga 1200 – 4000 euro për metër katror.
Ajo çfarë vihet re është se çmimet e shitjes janë 2-3 fishi i çmimit të referencës për metër katror.
E thënë më konkretisht, nëse kërkon të blesh një apartament pranë liqenit artificial çmimi varion nga 1600- 2200 euro për metër katror, në varësi të pozicionit të apartamentit, teksa çmimi i referencës në këtë zonë është 107 000 lekë të reja.
Çmimi i një apartamenti 100 metër katror në ndërtimet e reja pranë qendrës, varion nga 120 000 – 400 000 euro.
Sipas Lefter Sila, përfaqësues i një agjencie imobiliare në Tiranë, ky çmim vjen si pasojë e ofertës së paktët për shkak të mungesës së lejeve të ndërtimit për një periudhë 5 vjeçare.
“Në 2019 rritjet kanë qenë 30-40 % vetëm për ndërtimet që janë pas vitit 2015, ndërsa ndërtimit para 2015 kanë një rritje 10%. Kjo ndodh se për 5 vite nuk ka pasur fare leje ndërtimi në Tiranë , kështu që oferta ka qenë shumë e paktë”,- tha Sila.
“Për ndërtimet që janë në ndërtim e sipër pagesa bëhet me pjesë 30,40,50% deri sa përfundon pallati, ndërsa pronat që kanë hipotekë bëhet më shumë me bankë e më pak kesh. Ato që blejnë janë biznesi i fuqishëm, kurse larg qendrës blejnë shtresa që vijnë nga rrethet”,- u shpreh Lefter Sila në lidhje me klientët e apartamenteve në kulla dhe mënyrës se si paguhen ato.
Në një analize të thjeshtë te tregut mund te thuhet se në Shqipëri ka një hendek të madh të çmimeve të ulëta dhe atyre të larta.
Sipas kësaj analize çmimet në Shqipëri janë të ulëta në vendndodhje periferike me mungesë infrastrukture publike dhe me akses të vështirë të transportit publik. Ndërsa çmimet më të larta në godina të qendrës së kryeqytetit janë të krahasueshme me vende si Beogradi e Lubjana që përfaqësojnë ekonomi shumë herë më të zhvilluara se tonat dhe me të ardhura më të larta për frymë.
Në vendin tonë niveli i lartë i çmimeve u përket kryesisht projekteve të reja në proces zhvillimi e sipër në qendër të kryeqytetit dhe realizimi me sukses i tyre do të varet nga shitja, duke pasur parasysh faktorë si tkurrja e popullsisë për shkak të emigracionit të theksuar vitet e fundit, pasojave të pandemisë nga ku u humbën 50,000 vende pune dhe një shtrese të mesme që e ka të vështirë t`i përballojë të tilla shpenzime.
Shqipëria ka një boshllëk të stokut për një shtresë të mesme të punësuar të cilët synojnë dhe përballojnë shpenzime mesatare për banesa deri ne 1,000 euro për metër katror. /Euronews Albania