Qindra mesazhe të punonjësve të kompanisë së aeroplanëve “Boeing” kanë rrjedhur në media, dhe përmbajnë kritika të ashpra për ndërtimin dhe sigurinë e avionit 737 MAX.
Në një prej këtyre mesazheve, shkruhej se aeroplani “është i dizejnuar nga kllounët dhe mbikëqyret nga majmunët”.
Në këto mesazhe, të cilat janë publikuar nga mediat botërore, tregohen përpjekjet që u bënë për të kontrolluar rregulloren e ndërtimit dhe sigurisë me punonjës që nuk vlerësojnë aeroplanin, kompaninë Boeing, administratën amerikane të aviacionit dhe rregullat e aviacionit botëror.
Në mesazhet e shkëmbyera mes dy punonjësve të kompanisë në datën 8 Shkurt 2018, kur aeroplani Boeing 737 MAX ishte në fluturim testues dhe 8 muaj para dy aksidenteve fatale ajrore, njëri pyet tjetrin: “A do ta lejoje familjen të hipte në aeroplanin 737 MAX në një fluturim test? Unë për vete jo”. Edhe kolegu tjetër i përgjigjet negativisht.
Në disa nga komunikimet zbulohen përpjekjet e Boeing për të shmangur fluturimet trajnuese të pilotëve për modelet e reja të aeroplanëve, pasi është një proces i kushtueshëm dhe që kërkon kohë.
Vetëm këtë javë, kompania Boeing ndryshoi politikë duke thënë se do të rekomandojë që pilotët të kryejnë fluturime testuese para se të pilotojnë për udhëtarët aeroplanët “Boeing 737 MAX”.
Kompania amerikane ka reaguar pas publikimit të këtyre mesazheve, duke thënë se ato “nuk pasqyrojnë kompaninë që ne jemi dhe që duhet të jemi, mesazhet janë plotësisht të papranueshme”.
Publikimi i këtyre mesazheve të brendshme të kompanisë ka ngjallur akoma më shumë dyshime lidhur me sigurinë e “Boeing 737 MAX”.
Aeroplanët Boeing janë përfshirë në dy aksidente fatale ajrore gjatë vitit të kaluar. Për shkak të këtyre tragjedive, kompania amerikane është duke ridizajnuar sistemin automatik të kontrollit, që mendohet të ketë qenë shkaku kryesor i rrëzimeve. Prodhimi i linjës 737 MAX është ndalur përkohësisht. Muajin e kaluar, kompania Boeing shkarkoi nga detyra shefin ekzekutiv Dennis Muilenburg.