Për të gjithë ata që janë kureshtarë për vlerën e Xhamisë së Namazgjasë, imami Gazment Teqja ka zbuluar se ka kushtuar rreth 35 milionë Euro. Në një lidhje direkte për emisionin “Opionin”, imami ka dhënë më shumë detaje rreth projektit të Xhamisë së Namazgjasë.
Blendi Fevziu: Ju ishit sot mikpritësi kryesor, ku ishte kryetari i Komuniteti Mysliman?
Imami Gazment Teqja: Sot kryetari i Komunitetit Mysliman nuk ka qenë në Shqipëri, ka qenë në udhëtim në dijeninë time. Më kanë caktuar mua si myftiu i Tiranës brenda të gjitha rregullave sepse myftiu i Tiranës është ai që menaxhon dhe kontrollon aktivitetin fetar dhe të gjithë kultet në rrethin e Tiranës. Nga ana e rregullores, mua më takon që ta menaxhoj.
Blendi Fevziu: Kostot e mëdha të operimit, kush do i paguajë këto kosto?
Imami Gazment Teqja: Ka ambiente ndihmëse që do të shfrytëzohen për të mirëmbajtur xhaminë. Gjëja më e mirë në këtë formë që mos ta rëndojë buxhetin e Komunitetit Mysliman.
Blendi Fevziu: Pse u zgjodh ky dizajn dhe jo ai modern që ishte më para?
Imami Gazment Teqja: Kjo është histori krejt tjetër nga ajo e xhamisë që do bëhej pas Pallatit të Kulturës. Ka qenë dëshira e kryeministrit që të bënte një xhami moderne, ajo nuk u realizua. Tani, kur u bë kërkesa, mesa di unë, kërkesën e ka bërë shteti shqiptar, pala shqiptare për nevojat e Komunitetit Mysliman ja ka bërë Turqisë se ne e kishim të pamundur me këto vlera që kap xhamia. Edhe shteti shqiptar ka kontributin e vet sepse një pjesë të pronës e ka shpronësuar rreth 10 mln Euro mesa kujtoj unë. Nuk plotësohej me tokën që kishim ne.
Blendi Fevziu: Sa ka shkuar vlera e xhamisë?
Imami Gazment Teqja: Rreth 35 milionë Euro.