Në mbledhjen e ditës së sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo ka përcjellë një informacion më të detajuar përsa i përket shtrimeve në spital. Çomo zgjodhi ta mbyllte diskutimin e saj me fjalët rrëqethëse që një i ri 30-vjeçar i kishte thënë para se të ndërronte jetë si pasojë e Covid-19.
Najada Çomo: Vlen të theksohet se në spital shtrohen format mbi të mesmen dhe rreth 70 përqind e rasteve i takojnë formave të mesme të rënda, 20 përqind të formave kritika dhe një përqindje e vogël quhen forma të brishta. Pjesa e grupmoshës e pacientëve të shtruar në spital i takon nga mosha 19 deri mbi 90 vjeç. Numri të shtruarve në spital në grupmoshën e re është rritur dhe 30 përqind i takojnë moshës 19-45 vjeçare. Natyrisht që pjesën madhore e zënë personat e pavaksinuar, janë rreth 90 përqind e rasteve janë individë të pavaksinuar.
Rastet kryesisht të shtruara në spitale i takojnë qyteteve të mëdha si Tiranë, Fieri, Durrësi etj.
Unë do e mbyll diskutimin tim me fjalët e një djali 30-vjeçar, i cili ka ndërruar jetë para pak ditëve dhe disa orë para se të ndërronte jetë tha: Sa keq më vjen që nuk u vaksinova. Besoj se fjala e Klevisit vlen për shumë të rinj që të vrapojnë për t’u vaksinuar.