Bota Sa larg është Arabia Saudite nga ëndrra e posedimit të armatimit bërthamor?

Sa larg është Arabia Saudite nga ëndrra e posedimit të armatimit bërthamor?

Politikanët amerikanë kanë frikë se transferimi i teknologjisë së ndjeshme bërthamore amerikane në Arabinë Saudite do ta lejojë këtë të fundit që të posedojë armë bërthamore. Jo vetëm kongresmenët demokratë, por disa republikanë shprehin frikë nga ky lloj zhvillimi.

Trump, nga ana tjetër, duket se është i vendosur të shtrydhë çdo mundësi në marrëdhëniet e tij me sauditët gjatë mandatit. Publiku amerikan është i shqetësuar për lidhjet e forta midis Trump dhe Princit të Kurorës saudite, në një përpjekje për të parë se çfarë fshihet pas morisë së takimeve të tyre dhe korrespodencave të shpeshta. Atmosfera ushqehet më tej nga kontaktet e shpeshta midis presidentit amerikan dhe kompanive amerikane, të cilat vlerësohet se fitojnë miliarda dollarë në kontratat e zhvillimit bërthamor saudit.

Arabia Saudite tashmë po flet me një numër vendesh të tjera në lidhje me zhvillimin e programit, kështu që Trump me siguri ndjek logjikën që sauditët herët a vonë do të përvetësojnë teknologjinë bërthamore.

A ka Pakistani një zgjidhje të menjëhershme për bombën atomike saudite?

Pakistani është vendi me ndihmën më të madhe të huaj që vjen nga Arabia Saudite. Sipas disa vlerësimeve, shuma totale e ndihmës që Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite i dërgojnë Pakistanit është rreth 14 miliardë dollarë. Prandaj, natyrshëm lind pyetja se çfarë po pranojnë këto vende. Është tepër naive të mendosh që kjo është çështje thjesht solidariteti “vëllazëror”.

Ekzistojnë shumë spekulime për ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë midis Arabisë Saudite dhe Pakistanit, që në rast emergjence, Pakistani pajis Arabinë Saudite me raketa që mbartin kapsula atomike, dhe se për këtë arsye dy avionë të Forcave Ajrore Mbretërore Saudite janë gjithmonë në Pakistan.

Ky spekulim në lidhje me një marrëveshje të fshehtë Saudi-Pakistan daton që nga vitet 1970, kur Arabia Saudite bashkëfinancoi prodhimin e armëve bërthamore pakistaneze.

Raketat balistike saudite mund të mbajnë kapsula bërthamore

Arabia Saudite ka raketa amerikane dhe kineze të afta për të mbajtur koka bërthamore.

Por amerikanët u dukën të befasuar në mënyrë të pakëndshme kur imazhet satelitore zbuluan fabrikën e parë të raketave balistike saudite në janar. Uashington Post tha se ishte “pjesë e ambicieve të mëdha ushtarake dhe bërthamore të Princit Muhamed ibn Selman”. Duhet të shtohet gjithashtu se imazhet satelitore të disa muajve më parë treguan se Arabia Saudite është afër përfundimit të reaktorit të parë bërthamor.

Ekspertët tregojnë se Arabia Saudite aktualisht nuk ka aftësinë për të prodhuar armë bërthamore, por që lëshimi i vetë prodhimit të raketave balistike “është një hap vendimtar drejt fillimit të programit të zhvillimit të armëve bërthamore saudite”.

Irani mbetet motivuesi më i madh

Regjimi sektar iranian, i cili po provokon vazhdimisht kriza në Lindjen e Mesme dhe përmes fanatikëve shiitë, përfshihet në punët e brendshme të vendeve në rajon duke vepruar në destabilizimin e tyre. Gjithashtu, duke kërcënon vazhdimisht Arabinë Saudite dhe vendet e tjera të rajonit, Irani mbetet nxitësi më i madh i dëshirës saudite për të zotëruar armët e veta bërthamore. Megjithatë, zyrtarët sauditë insistojnë se ata janë të interesuar vetëm për zhvillimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore.

Burimi: tesheshi.com