Bota Sa mund të ndikojnë mediat sociale në zgjedhje?

Sa mund të ndikojnë mediat sociale në zgjedhje?

Elon Musk në bisedë në platformën X me shefen e AfD-së, Alice Weidel

Rumania përsërit zgjedhjet presidenciale për shkak të ndikimit të dyshuar rus në TikTok; në platformën X, Elon Musk bën reklamë për AfD-në. A po e ndryshojnë mediat sociale demokracinë?

Më 23 shkurt 2025 zhvillohen në Gjermani zgjedhjet parlamentare. Për multi-miliarderin dhe të besuarin e Trump, Elon Musk, është e qartë se zgjedhjet parlamentare duhet t’i fitojë AfD-ja, parti e cila nga Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës klasifikohet pjesërisht si ekstremiste e djathtë. Vetëm AfD mund ta shpëtojë Gjermaninë, shkroi Musk në platformën e tij të internetit X. Ai i ofroi udhëheqëses së AfD-së, Alice Weidel, edhe mundësinë për të zhvilluar një diskutim në platformën X. Në mediat sociale gjermane, AfD-ja konsiderohet si partia më aktive, sidomos në platformën kineze të mediave sociale TikTok. Videot me pozicionet e AfD-së shihen në TikTok nga qindra-mijëra vetë.

Sipas ekspertit për politikë dhe komunikim, Johannes Hillje,  në vitin 2022 dhe 2023 çdo video e  AfD-së është parë mesatarisht më shumë se 430,000 herë. Për krahasim: në vend të dytë renditen videot e grupit parlamentar konservator CDU/CSU – me një mesatare prej rreth 90,000 shikimesh.

A favorizojnë mediat sociale partitë e djathta?

Jo, thotë Andreas Jungherr, profesor i Shkencave Politike dhe Transformimit Digjital në Universitetin Otto-Friedrich në Bamberg. “AfD-ja ka shumë kohë që është aktive në mediat sociale.” Ajo ka mësuar se cila qasje funksionon atje.

Ky është një avantazh i qartë për sa i përket diapazonit të shikueshmërisë – por vetëm kjo nuk garanton suksesin zgjedhor, thotë Jungherr. Kjo duket qartë në fushatën e kandidates për president të SHBA-së, Kamala Harris, e cila pati sukses të madh në rrjetet sociale. Por siç e dimë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të sjellë atë në Shtëpinë e Bardhë.

Ç’ndikim kanë mediat sociale tek vlerat dhe bindjet?

Të ashtuquajturat “flluska të filtruara” lindin në hapësirën online, sepse rezultatet e kërkimit ose përmbajtja janë të personalizuara. Algoritmet e ofruesve të shërbimeve online përcaktojnë ato që na shfaqen në internet. Në mediat sociale një algoritëm u jep përparësi përmbajtjeve të personaliteteve të njohura ose përmbajtjeve që kanë pëlqyer ose komentuar shumë përdorues të tjerë. Nga ana tjetër algoritmi mund të mos shfaqë më fare përmbajtje të caktuara, nëse ato janë injoruar shpesh.

Kjo krijon një perspektivë të njëanshme: botëkuptimi që ka dikush forcohet, ndërsa mendimet apo qëndrimet e të tjerëve injorohen. Mbi të gjitha përmbajtje të tilla përforcojnë vlerat dhe bindjet që dikush i ka ndërkohë.

Kjo është arsyeja pse mediat e të gjitha llojeve kanë vetëm një ndikim shumë të vogël në vendimet e votuesve, thotë Judith Möller, profesore për shkencat e komunikimit në Institutin e Leibniz për Kërkimin e Medias. Ajo studion efektet e mediave sociale dhe thotë “Vendimi i votuesve lidhet me shumë shkaqe të ndryshme. Varet se ku dhe si je rritur, çfarë përvojash personale ke pasur – veçanërisht në javët e fundit para zgjedhjeve – ose me kë tjetër flet për zgjedhjet dhe politikën.” Sipas Möller, të njëjtët faktorë ndikojnë edhe se cilat media përdorim dhe çfarë efekti kanë ato.

Lëvizjet politike dhe partitë e reja mund të bëhen shpejt të dukshme në mediat sociale. Por në thelb në rrjetet sociale ato arrijnë ndjekësit tyre – dhe ndoshta disa njerëz të pavendosur. “Njerëzit është e vështirë që t’i bindësh për diçka të re. Përmes mediave mund të bindësh vetëm ata që tashmë janë të bindur për diçka.”

Lajmet e rreme dhe gjuha e urrejtjes

Ballafaqimi me informacionet dhe lajmet e rreme do të bëhet edhe më problematik në të ardhmen. Lajmet e rreme ka të ngjarë të shtohen, nëse siç njoftoi Marc Zuckerberg, koncerni Meta do të heqë dorë nga kontrolli dhe verifikimi profesional i lajmeve në platformat Facebook ose Instagram dhe do t’i bllokojë gjithnjë e më rrallë përmbajtjet e diskutueshme.

Në këtë mes mund të vërejmë dy efekte, thotë prof. dr. Nicole Krämer, drejtuese e Departamentit të Psikologjisë Sociale, Medias dhe Komunikimit në Universitetin e Duisburg-Essen. Nga njëra anë sondazhet tregojnë se njerëzit nuk duan të bien pre e dezinformimit. “Sa më e rëndësishme të jetë një çështje për jetën e dikujt, aq më i aftë është ai apo ajo në kërkimin e informacionit që u vjen vërtet në ndihmë, domethënë që është i besueshëm dhe i dyanshëm.”

Por nga ana tjetër, nëse informacioni i rremë përshtatet me diçka që tashmë i është ngulitur dikujt në tru, personi mund ta konsiderojë atë informacion si të mundshëm – “edhe nëse fillimisht mendon: s’ka mundësi të jetë kështu,” thotë Krämer. Këtu vepron edhe një mekanizëm tjetër: “sa më shpesh dëgjon, lexon ose sheh një mesazh të rremë, aq më shumë ka gjasa që ai të mbetet në kujtesë.” Kjo do të thotë se informacioni i rremë ndonjëherë rrënjoset – pavarësisht nga fakti se njerëzit në të vërtetë duan ta shmangin atë.

Sasia e informacionit të rremë në mediat sociale gjithashtu mund të rritet, sepse aty ka gjithnjë e më pak opinione të ndryshme, thotë Judith Möller. Arsyeja për këtë është një kulturë bisedimi dhe diskutimi gjithnjë e më toksike e karakterizuar nga fyerje ose gjuhë urrejtjeje. “Si rrjedhojë grupe të caktuara largohen nga diskutimet, dhe në to vazhdojnë të marrin pjesë vetëm ata që mund ta përballojnë këtë kulturë toksike bisedimi.”/DW