Bota Sa orë qëndruan të mbyllur emigrantët në kamionin frigoriferik

Sa orë qëndruan të mbyllur emigrantët në kamionin frigoriferik

Mediat britanike zbardhin të tjera detaje për ngjarjen tronditëse të 39 emigrantëve të vdekur që u gjetën brenda një kamioni frigoriferik në zonën industriale të Essex.

Nga hetimet e deritanishme, mendohet që emigrantët kinezë kanë qëndruar për të paktën 10 orë të mbyllur brenda kamionit, nga momenti i mbërritjes në Belgjikë deri në destacion, që ishte Britania. Autoritetet belge thonë se 39 emigrantë ishin mbyllur të paktën sapo mbërritën në portin e Zeebrugge.

Kjo do të se deri në momentin që mbërritën në Britani të Madhe, ata kanë qëndruar në temperatura deri në -25 gradë Celsius për 10 orë ose më shumë. Policia britanike i ka përqëndruar hetimet në tre banda që veprojnë në Irlandën Veriore.

Kamioni frigoriferik ishte nisur nga Bullgaria, aty ku ka selinë kompania irlandeze e transportit të mallrave. Por ajo që nuk dihet ende, është se kur emigrantët kinezë u futën në kamion. Zyrtarë të sigurisë së portit kanë thënë për mediat britanike se një kamion i tillë frigoriferik, është i pamundur që të zbulohet nga kamerat termike se çfarë përmban.

Kjo për shkak të temperaturës së ulët. Sipas tyre, kontrabandistët e kanë ditur këtë fakt dhe kjo është arsyeja përse kanë përdorur kamion frigoriferik. Madje, ata shprehen se një kamion i tillë, që është i izoluar hermetikisht, edhe nëse nuk vë në punë frigoriferin, personat që qëndrojnë për një kohë të gjatë brenda, asfiksohen nga mungesa e ajrit.

Trupat e pajetë të 39 emigrantëve kinezë u gjetën brenda kamionit frigoriferik në zonën industriale të Essex në Angli dy ditë më parë. Deri tani, i arrestuari i vetëm është shoferi 25-vjeçari.