Stili mbrojtës i lojës së Atletico Madridit, i dalluar më qartë në përballjen me Manchester City-n në Champions, nuk u pëlqen “të dashuruarve” me lojën e bukur, aq më tepër një si Arrigo Sacchi. Ish-trajneri i famshëm i Milanit, duke analizuar paraqitjen e fundi të “Los Colchoneros”, deklaroi:
“Simeone ka arritur shumë rezultate vitet e fundit. Nuk ka dyshime se përvoja e tij si lojtar në Itali ka ndikuar tek ai si trajner. Rëndësi ka të mos pësosh gol, pastaj të shohim çfarë do të ndodhë, duke u bazuar te talenti i lojtarëve të veçantë. Sigurisht që Atletico ka elementë cilesorë, por në vend që të blejë lojtarë dhe të shpenzojë shumë para, duhet të kishte “blerë” lojën. Megjithatë, duhet të jemi të sinqertë: sfida mes Atleticos dhe City-t është ende e hapur. Në kthim, gjithçka mund të ndodhë”.
Në qendër të kritikave të Sacchi-t është loja e Simeones, e ashtuquajtura “Cholismo”, e bazuar në intensitetin fizik dhe organizimin në mbrojtje. Edhe në kurriz të lojës sulmuese.
“Kjo mënyrë loje e lodh publikun. Spektatorët kërkojnë bukurinë, kërkojnë emocione. Çfarë emocioni mund të ketë me një top të gjatë pesëdhjetë metra? E dini çfarë më tha Gullit dikur? Zotëri, pse të mos e provojmë edhe ne, të hedhim topin në zonë, jemi të fortë me kokë, ndoshta shënojmë…”
Sacchi, megjithatë, nuk e përjashton Guardiolën nga disa kritika dhe përgjegjësi për mosmarrjen e masave të duhura për lojën e pritshme të Simeones.
“Atletico nuk ka goditur asnjë herë në portë, është e vërtetë, por nuk është si City goditi me bollëk. Përveç golit të De Bruyne, i bukur në ndërtim dhe ekzekutim, nuk mbaj mend shumë raste shënimi. Duhet pranuar që kjo sfidë nuk ishte argëtuese. Atletico nuk donte të luante futboll, por City e kishte për detyrë të bënte diçka më shumë për të kapërcyer murin…”.
Më pas, ish-trajneri tregon një anekdotë me Pelenë, të përjetuar gjatë gjysmëfinales së Euro 2000 mes Italisë dhe Holandës.
“Pranë meje ishte Pele. Në fund fituam me penallti, pas një ndeshjeje të cilën e luajtëm në gjysmëfushën tonë, duke u mbrojtur. Pele më tha: “Sa keq, ke lojtarë të mirë, por nuk di të luash futboll”. Atletico sillet në të njëjtën mënyrë: mbrojtje, mbrojtje dhe mbrojtje”.