Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda që e shpalli fajtor për shpërdorim detyre. Paraditen e së enjtes përmes avokatëve të tij mbrojtës, Tahiri ka depozituar kërkesën në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, një ditë para se të përfundonte afati prej 15 ditësh nga dhënia e vendimit.
Ish-ministri e kishte paralajmëruar ankimimin pasi e konsideroi vendimin e gjykatës absurd dhe qesharak. Më 19 Shtator gjykata e dënoi Tahirin me 3 vjet shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa rrëzoi akuzat e tjera të ngritura nga prokuroria për trafik ndërkombëtar të drogës, pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal dhe veprime të kryera në kuadër të këtij grupi.
Një ditë më parë edhe ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela i bashkëpandehur me Tahirin e ankimoi vendimin e gjykatës që e dënoi me 3 vite burg. Çela është vazhdon të jetë në arrati. Pritet që edhe prokuroria të ankimojë vendimin e shkallës parë që rrëzoi të gjitha akuzat e ngritura për ish-ministrin.