Procesi gjyqësor në Greqi ndaj futbollistit të Manchester United, Harry Maguire, do të nisë nga e para. Rigjykimi i çështjes do të bëhet pas vendimit të Apelit, pasi avokati i tij ankimoi dënimin me 21 muaj burgim që u dha ndaj 27-vjeçarit dhe vëllait e shokut të futbollistit.
Gjykata greke e Apelit pranoi ankesën e bërë nga avokati i Maguire, që kërkonte rigjykim të çështjes pasi futbollisti nuk pranon akuzat e ngritura ndaj tij.
Klubi i Manchester United ka konfirmuar këtë zhvillim, ku përmes një deklarate thotë se Maguire është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë precedent penal përderisa gjyqi do të zhvillohet nga e para dhe për rrjedhojë 28-vjeçari prezumohet i pafajshëm.
“Avokatët e Harry apeluan vendimin mëngjesin e sotëm. Ankesa është pranuar dhe do të nisë rigjykimi nga e para. Kjo do të thotë që Harry nuk ka precedent penal dhe është i pafajshëm deri sa të provohet fajësia”.
Më herët, prokurori grek Joannis Paradissis, në një intervistë për BBC Radio, tha se Maguire duhet thjesht të kërkonte falje, të pranonte fajin dhe dënimi ndaj tij do të rrëzohej. Prokurori ka deklaruar se motra 20-vjeçare e Harry Maguire u mor në pyetje dhe nuk deklaroi asgjë në lidhje me drogën e pretenduar që i ishte hedhur në pije nga disa shqiptarë. Historinë me shqiptarët të sajuar nga Harry Maguire, prokurori grek e konsideroi të turpshme dhe të neverishme.
“Nuk kam dëgjuar kurrë gjëra të tilla të pavlera”.
Prokurori u shpreh gjithashtu se futbollisti 28-vjeçar duhet t’u kërkojë falje edhe policëve, ndaj të cilëve i goditën fizikisht.
“Kjo është e padrejtë, sepse nëse unë bëj një gabim, kërkoj falje për atë që i ndodh personit tjetër. Ne kemi 3 të pandehur. Ata thonë se nuk janë fajtorë. Por nga ana tjetër nuk shpjegojnë se si janë dëmtuar fizikisht 3 policët”.
Futbollisti i “djajve të kuq” u arrestua javën e kaluar pasi u përfshi në një sherr në Mykonos me një grup tjetër personash. Pas mbërritjes së policisë për të shuar konfliktin, Maguire, vëllai dhe miqtë e tij ofenduan dhe sulmuan fizikisht edhe oficerët e policisë. Harry Maguire, vëllai dhe shoku i tij u shoqëruan në komisariat.
Por edhe në rajonin policor, të tre goditën fizikisht oficerët e policisë duke u shkaktuar dëmtime trupore. Më pas, futbollisti 28-vjeçar u ofroi para policëve për të mbyllur këtë histori, por u arrestua.