Futbollisti egjiptian Mohamed Salah thotë se është i gatshëm të sakrifikojë ëndrrën e tij për titullin e Ligës së Kampionëve për titullin e kampionit të Anglisë me Liverpoolin.
Ekipi i “Reds”, aktualisht mban vendin e dytë të renditjes në Premier Ligë me vetëm një pikë më pak se lideri i tabelës së klasifikimit Manchester City, ndërsa të mërkurën e pret ndeshja e kthimit të së tetës së finales në Ligën e Kampionëve, kundër gjermanëve të Bayernit të Mynihut me të cilët në ndeshjen e parë barazuan pa gola në Anfield.
Salah pranon se për atë, Liga e Kampionëve është titulli më prestigjioz, megjithatë siç thotë, do ta sakrifikonte për titullin e Premier Ligës angleze bashkë me Liverpoolin.
“Do të jem i sinqertë. Liga e Kampionëve është gara më prestigjioze. Megjithatë, ëndrra e të gjithë qytetit dhe klubit është titulli i kampionit të Anglisë. Do të isha i lumtur në qoftë se do të mund të sakrifikoj ëndrrën time për ëndrrën e tyre. Por, nëse fitojmë në Ligën e Kampionëve do të ishte një gjë e shkëlqyer, po përpiqemi ta bëjmë”, tha Salah për mediat britanike.
Deri në fund të kampionatit të Anglisë ka edhe tetë ndeshje dhe Salah shpreson se City do të dështojë diku.
“Gara është shumë e vështirë dhe para nesh kemi ndeshje të ndërlikuara. Atë që mund ta bëjmë është të fitojmë ndeshjet tona dhe të shpresojmë se ata do të dështojnë në të paktën një. Vetëm kështu ne mund të fitojmë titullin”, rrëfen Salah.
Liverpool do të luajë të mërkurën ndeshjen e kthimit të së tetës së finales në Ligën e Kampionëve kundër Bayernit të Mynihut.