Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, gjatë mbledhjes së konferencës së kryetarëve, ka sqaruar se Sali Berishës nuk i mbaron mandati i deputetit.
Kryeparlamentarja Nikolla deklaroi se Sali Berisha ka munguar me arsye në parlament për më shumë se 6 muaj ndaj atij nuk i hiqet mandati.
“Dua t’i japim fund spekulimeve. Qenia e një personi nën këtë masë nuk mund të konsiderohet si mungesë pa arsye në Kuvend. Jemi konsultuar me njohës të ligjit dhe Kushtetutës”, tha Nikolla.
Në këtë mënyrë, mungesa prej 6 muajsh e Berishës në punimet e Kuvendit është konsideruar nga Kuvendi me arsye.
Prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, Sali Berisha vijon të qëndrojë nën masën arrest shtëpie pasi akuzohet për korrupsion.
Ndërsa Gazment Bardhi është shprehur se Nikolla lexoi drejt Kushtetutën. Ai theksoi se është kërkuar që Berisha të rikthehet në parlament duke ushtruar të plotë mandatin.
Sali Berishës nuk i mbaron mandati, Nikolla: Ka munguar me arsye
“Sot, Kryetarja e Kuvendit, lexoi drejt Kushtetutën sa i përket mandatit të kreut të opozitës, Sali Berisha. Strukturat ligjore të Kuvendit argumentuan se Sali Berishës nuk i ndërpritet mandati pasi mungesa e tij në kuvend nuk është pa arsye. Kjo i jep fund debatit dhe spekulimeve të sponsorizuara nga segmente të mazhorancës. Ne kërkuam që zotit Berisha, në përputhje me Kushtetutën, t’i krijohet mundësia që të ushtrojë të plotë mandatin e deputetit, duke marrë pjesë me seancat parlamentare dhe aktivitetet e tjera parlamentare”, tha Bardhi.