Zv/kryeministri i Italisë Antonio Tajani ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-kryeministrin Sali Berisha, pas deklaratave të këtij të fundit një javë më parë, që marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët e konsideroi anti-kushtetuese.
Në një konferencë me gazetarët ditën e sotme, Berisha u shpreh se Tajani i tha se deklarata ishte e ashpër.
Por Berisha sqaroi se përpos aspektit kushtetues të marrëveshjes, ai e shikon të pavend që të organizojë protesta kundër emigrantëve apo Italisë. Sipas tij, kjo gjë është e papranueshme.
“Më ka marrë në telefon zv/kryeministri i Italisë Antonio Tajani. Dhe më thotë se, Sali thotë, e pamë atë deklaratën e PD e ne kemi këtë-atë problem, ishte e ashpër. Jo i thashë, ja shpjegova. Për këto arsye thashë unë jam kundër, por i thashë, nuk mund të ketë protesta, PD nuk mund të organizojë protesta që të nxisë ksenofobi, atë nuk e bën. Nuk mundet as të organizojë protesta kundër Italisë, por gjykoj se Italia i ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme Shqipërisë dhe ndihma italiane është shumë interesante. Krahas miliarda, por shumë më tepër janë ato që kanë mësuar shqiptarët, ka qenë një lloj universiteti. Por edhe në kuptimet e punës, financimit, shkollimit. Sot në universitetet italiane mund të ketë mbi 30 mijë shqiptarë. Në konceptim tim nuk protestohet kundër vendeve të lira. Nuk mund ta krahasoj unë kurrë një vend të lirë me Serbinë për shembull”, u shpreh Sali Berisha.
Një javë më parë, kryetari i PD tha se marrëveshja e Edi Ramës me Kryeministren Giorgia Meloni për emigrantët është në kundërshtim me Kushtetutën. Ai theksoi se ajo për përgatitur në mënyrë sekrete dhe kjo e bën atë të dëmshme dhe të papranueshme. Kryedemokrati u shpreh se “regjimi i Edi Ramës” nuk mund të garantojë respektimin më minimal të të drejtave të refugjatëve.