I ftuar në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në një emision ku flitej për “superdosjet” e denoncuara nga Partia Demokratike kundër qeverisë së kryeministrit Rama, ish-deputeti Ervin Salianji ka denoncuar edhe diçka që ka zbuluar nga fashikujt e dosjeve ku akuzohet për kallëzim të rremë.
Në dosje, sipas pretendimeve të Salianjit, ka materiale video që tregojnë se qeveria e kryeministrit Edi Rama monitoron “non stop” selinë e opozitës, ish-SHQUP-in ku është vendosur prej vitesh Partia Demokratike.
“Nëse do të kishte Prokurori, atëherë do të niste menjëherë hetimet”, tha Salianji në studio për materialet që tha se janë publikuar më herët dhe nuk përbëjnë sekret hetimor.
Për videon, që sipas tij vërteton mbikëqyrjen ambientale të selisë së demokratëve, Salianji thotë se gjithçka bëhet nga njësia operacionale e Policisë së Shtetit.
Kikia: Të hetohet me kujdes, mos dalë si “Babalja”
Denoncimin e ish-deputetit Ervin Salianji, gazetari Mentor Kikia kërkoi që të konsiderohet me kujdes, në mënyrë që të mos rezultojë në fund e ngjashme me “Babalen”.
Kikia ka përmendur ndër të tjera edhe faktin që ka informacione të besueshme se telefoni i tij celular është në përgjim, por kjo nuk i bën përshtypje tashmë, pasi solli në kujtesë se ka bërë punën e gazetarit edhe në kohën kur president ishte Sali Berisha dhe përgjimet ishin edhe më masive.
“Kur doli çështja e Babales nuk kishte humorin e sotëm, por përmbante mjaft mister. Le të lëmë Prokurorinë që të hetojë këtë çështje me seriozitet, që gjithsesi është e rëndë nëse rezulton e vërtetë”, tha Kikia.